Studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të UT-së i bashkohen stafit mjekësor në qendrën e vaksinimit në Tetovë

Studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë së Universitetit të Tetovës në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Komunën e Tetovës janë përfshirë në procesin e vaksinimit kundër Covid-19 të popullatës së Pollogut. Në qendrën e vaksinimit në Tetovë asistojnë gjithsej 23 absolventë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, të cilët do ndihmojnë në vaksinimin e qytetarëve. Ata i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë për ak*sionin vullnetar për vaksinimin e popullatës. Studentët që marrin pjesë janë absolventë të programeve studimore Mjekësi e Përgjithshme dhe Farmaci dhe interesimi i tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi është jashtëzakonisht i madh.

Baby Boo Tinex

Dekani i këtij fakulteti, Prof. Dr. Nevzat Elezi, tha se Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë do të mbajë kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Shëndetësisë dhe do të monitorojë hap pas hapi procesin e vaksinimit. “Për momentin kjo qendër e vaksinimit e ngritur këtu në sallën sportive të shkollës së mesme të mjekësisë në Tetovë ka kapacitete për të vaksinuar deri në 1500 persona në ditë, ndërkaq ne si fakultet marrim pjesë me 23 studentë. Nëse do jetë e nevojshme Fakulteti ynë ka kapacitete për ta shtuar numrin e studentëve dhe për t’iu përgjigjur çdo kërkese të autoriteteve sa i përket procesit të vaksinimit.

E them këtë nisur nga fakti se në këtë qendër pritet të vaksinohen të gjithë qytetarët e Pollogut, ku bëjnë pjesë Tetova e Gostivari me rrethinë dhe ekziston mundësia që në këtë pikë të përfshihet edhe Kërçova. Ne si Fakultet i Shkencave të Mjekësisë do jemi në dispozicion të plotë për t’i bashkërenduar aktivitetet në të ardhmen, me Ministrinë e Shëndetësisë dhe autoritetet e tjera.” – tha Prof. Dr. Nevzat Elezi.

Prodekania për Arsim e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Doc. Dr. Nexhibe Nuhii, tha se pandemia COVID-19 ka ndikuar seriozisht në jetën e fëmijëve dhe të rinjve. Sipas saj, imunizimi do të jetë një hap i rëndësishëm drejt rikuperimit, duke përfshirë qasjen e sigurt dhe të plotë në shërbimet vitale. “Vaksinat kundër KOVID-19 ofrojnë një shpresë, mirëpo edhe pasi vaksinat do të jenë në dispozicion, do të duhet t’i respektojmë masat preventive, siç është distanca fizike, maskat dhe ventilimi, ndërsa higjiena e duarve duhet të vazhdojë të ruhet edhe pas vaksinimit.

Parandalimi i sëmundjes është më mirë se terapia. Vaksinimi është e mirë publike me të cilën ndihmohet shoqëria jonë, mbrohet shëndeti i popullatës dhe shpëtohen jetët e njerëzve” – u shpreh Doc. Dr Nexhibe Nuhii.
Të drejtën për t’u vaksinuar mund ta shfrytëzojnë vetëm ata qytetarë, të cilët paraprakisht kanë caktuar termin për vaksinim nëpërmjet mjekut amë.

Restorant Lumare