Spasovski: “Spekulimet për tuba me karburant dhe piroteknikë në autobus, vetëm e dëmtojnë hetimin”

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në një deklaratë për televizionin bullgar BTV tha se në autobusin e aksidentuar nuk është vërtetuar që ka pasur tuba me karburant ose mjete piroteknike. Spasovksi thotë se teoritë e tilla janë spekulime.

“Spekulimet në opinion për tuba me karburant, piroteknikë dhe kështu me radhë vetëm e dëmtojnë hetimin, nuk e ndihmojnë. Sipas informacioneve të mia që i kam, nuk bëhet fjalë fare për tuba me benzinë, të cilat mund të jenë shkak për aksidentin, theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në deklaratën për BTV bullgare.
Ai shtoi se  beson thellë në organet hetuese të Bullgarisë.

“Lëmë që hetimi t’i vërtetojë të gjitha faktet dhe kuptohet të dhënat më relevante duhet të vijnë  nga organet shtetërore të Bullgarisë. Ne duhet t’i konfirmojmë shkaqet për aksidentin, nëse kjo është nga faktori njeri ose është ndonjë lëshim teknik i autobusit”, theksoi Spasovski.

Ministri Spasovski theksoi se Drejtoria doganore dje ka ndërmarrë aktivitet lidhur me pastrimin e procedurave, me ç’rast dy doganierë janë suspenduar dhe është zbatuar përgjegjësi disiplinore për udhëheqësin.
“Nevojitet hetim i detajuar dhe përgjegjësi penale për çdo person që ka marrë pjesë në veprime të këtilla”, shtoi Spasovski.