Spahiu: Nga raportet e acaruara mes Shkupit dhe Sofjes po përfiton Serbia


Publicisti Nexhmedin Spahiu, në shkrimin e tij të publikuar në revistën SHENJA, shkruan se problemi maqedonaso-bullgar është çështje dypalëshe, ndërkohë që nga raportet e acaruara mes Shkupit dhe Sofjes përfiton Serbia. Sipas tij, pos maqedonasve e bullgarëve, në këtë çështje më së shumti pëson Kosova e Shqipëria.

“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet ta përkrahin palën maqedonase që është në favor të marrëveshjes me Bullgarinë. Diplomacia kosovare dhe diplomacia shqiptare duhet ta inkurajojnë marrëveshjen mes Shkupit e Sofjes. Në këtë kontekst, në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe institucioneve të tyre në çdo vend ku vendoset flamuri i Shqipërisë duhet të vendoset flamuri i Kosovës, kjo për të treguar respekt dhe dashuri të njëjtë si ndaj Kosovës ashtu edhe Shqipërisë.

Kështu u jepet shembull edhe maqedonëve se për të pasur një identitet kombëtar nuk kanë nevojë ta mohojnë origjinën e tyre etnike e as historinë e përbashkët me Bullgarinë, njësoj sikurse që Kosova nuk e mohon as origjinën e përbashkët etnike e as historinë e përbashkët me Shqipërinë, përkundër faktit që e ka ndërtuar identitetin e vet të veçantë kombëtar”, nënvizon Spahiu.

Spahiu shkruan se është vështirë të parashikohet se kur do të përfundojë kjo betejë mes Serbisë e Bullgarisë për influencë në Maqedoninë e Veriut, por është e sigurt Serbia do të investojë që sa më shumë maqedonas të këmbëngulin në kundërshtim të kërkesave bullgare.(INA)

Baby Boo