Skandali në UBT /Doktorantë dhe Profesorë me diploma false dhe mesatare 5.7


Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e sotme raste flagrante të pedagogëve të cilët me diploma false dhe me mesatare të ulët kanë marrë titujt Profesor i Asociuar apo Doktor Shkencash.

Në postën elektronike të Fiks Fare, mbërritën pesë lista notash të personave të ndryshëm, të cilët kanë përfunduar Fakultetitin e Veterinarisë, në UBT dhe prej vitesh janë pjesë e stafit mbështetës dhe akademik të këtij Fakulteti.

Në informacionin dërguar Fiksit, pretendohej që këto lista ishin një kopje e listës origjinale në bazë të numrit të amzës së gjithsecilit. Ndërsa në dosjet e punës, këta persona kishin dorëzuar një tjetër listë notash, për të arritur mesataren e kërkuar për pozicionin e tyre të punës.

Pasi Fiksi iu drejtua Rektoratit, për dy listat e para na u kthye në kohë rekord një përgjigje ku për punonjësit:
Alkineda Maçi, personel ndihmës akademik, në zyrën e Zhvillimit të Karrierës Studentore dhe Rexhep Bajrami, punonjës kërkimor akademik, u konstatua që pretendimi ishte i vërtetë.

Punonjësja e parë, Alkindea Maçi ka dhënë dorëheqjen pas verifikimit të falsifikimit të listës së notave, ndërsa Rexhep Bajrami është pezulluar nga detyra mbi bazën e dyshimeve të ngritura për ndërhyrje në listën e notave, deri në verifikimin e dyshimeve mbi bazën e konfirmimit të Prokurorisë. Gjithashtu është përgatitur edhe dokumentacioni për kallëzim pranë prokurorisë.

Pas këtij verifikimi, gazetarët e Fiksit i nisën Rektoratit një tjetër kërkesë, ku i kërkonin të verifikonte listat e notave të tre profesorëve të këtij fakulteti, të cilat ishin shumë të ulëta krahasuar me mesataren e kërkuar për të marrë titullin Profesor i Asociuar apo Doktor Shkencash.

Nga kjo rezultoi se dy prej tyre, kishin një mesatare të katër viteve 6.5 dhe 5.7. Me konkretisht,
– Ilirjan Bakiasi, Prof i Asocuar, jep lëndën e Mjekësisë Veterinare me mesatare 6.5
– Alketa Qoku, Doktore shkencash, staf akademik ndihmës, mesatare 5.7

Fiksi arriti të kontaktonte Ilirian Bakiasin, Profesorin e Asociuar, i cili para kamerës së Fiksit e pranoi që ka një mesatare të katër viteve 6.5, por ai personalisht nuk ka bërë ndërhyrje në listën e notave, pra nuk e ka falsifikuar.

Pyetjes se si ka arritur të bëhet Prof. Asc. me këtë mesatare si dhe pedagog i brendshëm ne këtë fakultet, ai iu përgjigj:
“Unë jam kontaktuar nga ish Rektori, i cili më propozoi të ngrija struktura të universitetit në Lushnjë, si menaxher. Kur u mbyll dega atje, u transferova këtu në fakultet. Unë nuk kam ardhur të kandidoj apo bëj konkurs. Më thirrën, erdha. Pranimi im si staf akademik me këtë mesatare është përgjegjësi e fakultetit”.

Ai ka qenë dy herë kryetar komune dhe drejtor i Bujqësisë Lushnjë, para se të bëhej Profesor i Asociuar dhe pedagog i brendshëm ne UBT, dega mjekësi Veterinare me mesatare të katër viteve 6.5.

Për të gjitha këto gjetje dhe shkelje, përpos përgjigjes me shkrim nga Rektorati, gazetarët e Fiksit intervistuan Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare. Ai pranoi se për dy të parët, për të cilët kemi marrë edhe përgjigjen me shkrim, është konstatuar, që kanë ndërhyrë në listën e notave dhe materialet i janë referuar prokurorisë.

Njëra ka dhënë dorëheqjen, ndërsa tjetri është pezulluar. Për sa i takon Ilirjan Bakiasit, Profesorit të Asociuar me mesatare 6.5 ai u përgjigj: “Lidhur me emërimin e tij është bërë një raportim edhe në portalin “stopkorrupsionit” dhe në 2015-ën Ministria e Arsimit, pas një verifikimi që bëri, kërkoi shpalljen vakant të pozicionit që mbante ky profesor, por ky rekomandim u kundërshtua nga Rektori i asaj kohe.

Fiksi zbuloi, se ish rektori Fatos Harizaj, në shkresën përcjellëse e quante rolin e këtij profesori në punën e tij si të pazëvendësueshëm dhe arsyetonte se ai nuk është i vetmi profesor me emërim. Për këtë arsye ai edhe sot vazhdon të jetë profesor, duke anashkaluar edhe rekomandim e Ministrisë së Arsimit ku citohej edhe shkelja e ligjit numër 9741 për “Punësimin në Institucionet e Arsimit të Lartë” neni 50.

Ndërsa për Doktoreshën e Shkencave, me mesatare 5.7, Alketa Qoku, sipas tij e ka legjitimuar stafi drejtues, apo komisioni, në kohën kur ajo ka aplikuar për Doktore Shkencash.

“Në atë kohë, sipas tyre, kërkesat ishin shumë pak dhe kuotat ishin shumë. Ajo ishte pjesë e stafit, dhe për këtë arsye u pa e arsyeshme të kalohej për të plotësuar kuotat. Ky është një pozicioni papërshtatshëm, pasi këto kanë ndodhur në kohë të më parë, por janë veprime të legjitimuara nga paraardhësit dhe stafi”, u shpreh dekani.

Pas kësaj indicie, të nisur nga Fiks Fare, rektori i Universitetit Bujqësor Tiranë ka urdhëruar verifikimin e dosjeve, listës së notave të gjithë stafit akademik të këtij universiteti, duke mos anashkaluar askënd.