Skandali! Miellit në Shqipëri i hidhen kimikate që dëmtojnë shëndetin


Sa të sigurt jemi për bukën që hamë? Sa i garantuar është ushqimi më i rëndësishëm i tavolinës shqiptare?

Pse është më e keqe shija dhe pse vlerat ushqimore të bukës në Tiranë, në Librazhd, në Lezhë, Shkodër, Sarandë dhe kudo tjetër nëpër Shqipëri, janë më të ulëta se kudo gjetkë tjetër në Evropë?

Këtyre pyetjeve ju është dhënë përgjigje në emisionin Java në RTSh, me dy të ftuar Edmond Panariti, ish-ministër bujqësie dhe Adi Haxhiymeri, kryetar i unionit të prodhuesve të miellit.

Ish-ministri Panariti pranoi se standardi ushqimor i bukës së prodhuar në Shqipëri, për shkak të cilësisë së miellit, është më i ulëti në Evropë. Ai kujton se pesë vjet më parë, kur ishte në detyrë, firmosi një udhëzim sipas të cilit mielli që do të përdorej për të prodhuar bukën, duhet të kishte një nivel prej 12.5 proteinash. i cili gjithashtu është ende larg standardit evropian që e kërkon këtë nivel në shkallën 14 për qind. “Miell apo krunde”, ne ishim të vendosur që shqiptarët të merrnin cilësinë më të mirë të bukës së tyre”, tha Panariti, që shpjegoi se këtij udhëzimi, ju gjetën të çara për ta shmangur.

“U kërkua që të importohej dhe miell me nivel 9 për qind proteinash, nga i cili prodhohen biskota apo makarona. Dhe kjo dritare e lënë, u bë një derë ku depërtoi mielli i papërshtatshëm. Shteti nuk i kishte dhe nuk i ka kapacitetet të kontrollojë të gjithë zinxhirin e importit të miellit”, tha Panariti, sipas të cilit, me sasinë e miellit që importohet gjoja për të bërë biskota, Shqipëria, por dhe gjithë rajoni do të ushqeheshin me këtë produkt.

Adi Haxhiymeri është një luftëtar i vjetër i kësaj lufte me shumë beteja. “Kam folur me të gjithë aktorët vendimmarrës në Shqipëri. Kam dashur ta mbaj jashtë politikës këtë temë, por deri tani nuk është bërë asgjë. Dhe cilësia ushqimore e bukës nuk është ajo që duhet. Kjo ndodh për shkak të importeve të pakontrolluara që bëhen dhe për një grusht parash që fitohen në kurriz të tryezës së shqiptarëve. Situata mund të ndreqet shumë thjesht. Duke bërë kryesisht dy hapa: duke kryer kontrollet dhe analizat e duhura të miellit të importit dhe duke vendosur në mënyrë të detyrueshme në ambalazhin e tij të dhënat ushqimore të miellit”, thotë Haxhiymeri, i cili tregon se mielli me cilësi të papërshtatshme importohet nga Kosova, që gjithashtu e importon nga Serbia.

“Nuk po flas këtu për dëmin e jashtëzakonshëm që i është bërë industrisë vendase të miellit nga konkurrenca e pandershme, për plagët sociale që mund të krijohen dhe për ngutin që ndjen çdo prodhues i miellit, që është edhe taksapagues i madh, për të lënë vendin. Po them vetëm se kjo është një çështje tejet delikate që mund të zgjidhet shumë thjesht nëse ekziston vullneti politik”, thotë Haxhiymeri.

“Ky është një alarm i jashtëzakonshëm”, thotë Preç Zogaj, analist në JAVA RTSH. “Ky është korrupsion dhe ne do ta ndjekim si redaksi këtë çështje për t’i shkuar deri në fund. Si është e mundur që shqiptarët të trajtohen në këtë mënyrë?”, thotë ai.
Artan Hoxha, pa përmendur emra, siç është edhe traditë e emisionit, thotë se është një kompani kosovare e cila ka këtë pothuaj monopol të eksportit të miellit në Shqipëri, të cilën ajo vetë e importon nga Serbia. “Ka lidhje shumë të forta politike në Shqipëri dhe në Kosovë”, tha Hoxha.

“Vendimin për bukën e përditshme që Zoti dhe djersa e tyre jua fal shqiptarëve, i marrin ata që nuk e kanë bukën ushqim të tyre. Sepse mbajnë dietë”, tha Lorenc Vangjeli. Vangjeli kujtoi se shqiptarët janë konsumatorë të mëdhenj të bukës, me rreth 350 gram për frymë, çka është tipike për popujt e varfër. Dhe se është krim që të vidhen dhe t’u jepet cilësi e dobët pikërisht në këtë produkt. “Kush e sjell prej vitesh këtë armik të përditshëm në tryezën e çdo shqiptari dhe dëmton shëndetin e tyre”, tha Lorenc Vangjeli.

Panariti dhe Haxhiymeri pohuan gjithashtu se një rrezik tjetër të madh në cilësinë e bukës me miell me nivel të ulët proteinik e dëmtojnë shtuesit e ndryshëm kimikë që i hidhen produktit. “Këto kimikate mund të krijojnë probleme edhe më të mëdha në shëndetin e konsumatorit”, thanë të ftuarit e JAVA në RTSH.

Baby Boo