Skandalet shumë vështirë arrijnë te veshët e institucioneve


Nikolla Teslla, Ilija Gromovnik, El Çeka janë identitetet e fshehura në platformat e internetit ku mund të dëgjohen të ashtuquajturat bomba për politikanët. Biseda të përgjuara të zyrtarëve të lartë BDI-së të publikuara në rrjetet sociale, shantazhe dhe zhvatje e parave në emër të reklamave për valixhe me biseda të përgjuar ballë për ballë, tekste për afera, në media me identitete të fshehura si Koki, Kiki dhe Friki, janë vetëm disa nga skandalet të cilat në periudhën e kaluar ishin në fokusin e publikut, transmeton REL.

Analistët thonë se përshtypja është që i ashtuquajturi “reketim” është kategori që nuk i arrin deri te institucionet edhe pas ekzistencës së informacionit. Ministria e punëve të brendshme thotë se ata s’kanë pranuar kallëzim për shantazhe ose zhvatje pas publikimeve të fundit në media. Prokuroria publike për momentin nuk është përgjigjur ende në pyetjen nëse kanë hapur procedura pas informacionit të pranuar apo nëse te ata ka arritur ndonjë kallëzim për shantazhim dhe zhvatje – në bazë të shkrimeve të fundit në media.

Analisti Xhelal Neziri vlerëson se ky është një problem sistemor që i bën institucionet të ngathëta kur ato duhet të veprojnë pas informacioneve fillestare.

“Kemi afera të shumta të cilat publikohen nga mediat, OJQ-të, fishkëllyes që mbeteshin vetëm në nivel të temave për debat publik, akuza dhe kundër akuza mes të partive politike, e që nuk janë proceduar në mënyrë adekuate në institucionet e sistemit, përkatësisht prokuroria s’ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kushtetutën. Mendoj se i gjithë problemi qëndron në mungesën e reformave thelbësore në sistemin e drejtësisë”, thotë Neziri.

Ai shton se mos formimi i Këshillit gjyqësor, Këshillit të prokurorëve publikë e pastaj te poshtë në mënyrë hierarkike e bën sistemin të ngathët për të vepruar në luftën kundër korrupsionit.

“Vetingu që po përmendet në polici mendoj se më së shumti nevojitet në sistemin e drejtësisë, që më vonë po ky sistem të jep rezultate në lidhje me luftën kundër korrupsionit. Për sa kohë që e kemi këtë përbërje të gjyqësorit dhe prokurorisë, të cilët janë në lidhje të fortë me partitë politike dhe qendrat tjera të pushtetit, nuk mund të pritet që tekste dhe informacione të gazetarëve për shantazhe dhe kërcënime dhe aktivitete tjera të kenë epilog konkret”, thotë Neziri.

Perceptimi në publik është se praktika e qeverisë së mëparshme në të cilën gjyqësori është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të ekzekutivit sikur s’ka përfunduar, shpjegon ai. Bazat ligjore për luftë kundër korrupsionit dhe krimit janë të mira, por mungesa e reformave në gjyqësor ose besueshmëria e prokurorëve dhe gjyqtarëve bën që i tërë sistemi të jetë jo funksional dhe jo efikas, përfundon Neziri

Baby Boo