Skandale shqiptare, Albanian PEN center një shembull që s’duhet ndjekur!


Nuk është vetëm politika ajo që “mbretëron”, ku të njëjtat fytyra i shohin prej dekadash, e madje disa prej një çerek shekulli. Në shembullin e tyre jo të mirë edhe mjaft shoqata dhe organizime të tjera, në fushën e medias, artit, kulturës që nuk duan t’ia dinë për rregulla, statute apo dhe norma. Ato u shërbejnë drejtuesve të tyre në shumicën e rasteve zgjedhur që nga themelimi, e që deri sa të vdesin nuk zbresin nga froni, si monarkë. Një rast është edhe ky që trajtohet në vijim…

Nga Antela Spaho (Vouli)

Prej 10 vjetësh edhe Shqipëria bën pjesë në organizatën PEN International. Për ata që nuk e dinë, PEN është e para organizatë ndërkombëtare shkrimtarësh e pavarur dhe jopolitike, e themeluar në vitin 1921 në Londër. Organizata PEN International ka qendra autonome në mbi 100 vende të botës. Qëllimi i tyre është theksimi i rolit të letërsisë në zhvillimin e mirëkuptimit reciprok dhe kulturës botërore, për të luftuar për lirinë e shprehjes dhe për të vepruar si një zë i fuqishëm në emër të shkrimtarëve kudo në botë. Në fillim PEN ishte një organizatë për poetët, eseistët e romancierët, ndërsa më vonë përfshiu edhe shkrimtarët e çdo forme të letërsisë, si gazetarët, historianët, publicistët, përkthyesit etj. Ajo është organizata më e vjetër në botë e të drejtave të njeriut dhe organizata më e vjetër letrare ndërkombëtare.

Por, edhe pse një organizatë e pavarur dhe jopolitike, Albanian PEN center, si një nga degët e PEN Internacional, funksionon mbrapsht. Në 10 vitet e ekzistencës së saj, prej janarit të vitit 2009 e deri më sot viti 2018, Albanian PEN center nuk ka bërë asgjë për letërsinë shqipe.

Nga një vëzhgim fare i thjeshtë, për të kuptuar aktivitetin e Albanian PEN center në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj, vihet re se si aktivitet kryesor kjo organizatë ka promovimin e presidentes së saj. Një provë për këtë janë 3 antologji me titull “Anthology of the best literature” (Antologji e letërsisë më të mirë), publikuar përkatësisht në vitin 2016 (letërsia më e mirë në 30 vende të botës), në vitin 2017 (letërsia më e mirë në 40 vende të botës) dhe në vitin 2018 (letërsia më e mirë në 42 vende të botës). Kjo antologji botërore është botim i PEN Internacional, dhe që në kapakun e 3 botimeve të antologjisë dallojmë portretin e presidentes së Albanian PEN center. Pra, letërsia e presidentes së Albanian PEN center është publikuar në këtë antologji si “the best literature”, pra letërsia më e mirë shqiptare.

Por jo vetëm këto 3 antologji të PEN Internacional. Emrin e presidentes së Albanian PEN center e gjejmë edhe në disa antologji të tjera të shteteve të tjera të botës. Po ashtu, në shumë festivale të letërsisë e poezisë në Evropë dhe në botë, konferenca e kongrese për letërsinë e plot aktivitete të tjera letrare, merr pjesë vetëm presidentja e Albanian PEN center, asnjë shkrimtar a poet tjetër shqiptar.

Baby Boo