Siri, avionët rusë godasin sërish mbi Idlib teksa ofensiva afron


Avionët luftarakë rusë kanë nisur sulme të reja ajrore mbi provincën siriane të Idlibit, pas dështimit të bisedimeve të zhvilluara në Teheran me synimin për të bllokuar ndërmarrjen e një ofensive ushtarake atje.

Sulmet kanë shënjestruar pozicionet e kontrolluara prej rebelëve në jugperëndim të Idlibit, sipas asaj që informon Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë monitoruese e luftës civile në Siri me seli në Londër.
Forcat siriane, të mbështetura nga Rusia e Irani, pritet nga çasti në çast të nisin ofensivën madhore në bastionin e fundit në duart e rebelëve sirianë. Megjithatë, Turqia dhe të tjerë kanë paralajmëruar se nga ofensiva mund të shkaktohet një katastrofë humanitare.
Në provincë, ndërkohë, mijëra njerëz zhvilluan protesta në rrugë pas lutjeve të së premtes, duke bërë thirrje për mbrojtjen e ndërkombëtarëve. Në pamjet e qarkulluar në rrjetet sociale, një protestues nga Al-Dana thotë se u kërkojnë Kombeve të Bashkuara “të ndalin vrasjen e sirianëve”.
Sipas Observatorit, avionët rusë kanë goditur pozicionet e aleancës xhihadiste “Hayat Tahrir al-Sham” dhe “Ahrar al-Sham”, mbrëmjen e së premtes. “Synimi ka qenë të shkatërrohen fortifikimet e rebelëve”, tha kreu i Observatorit, Rami Abdel Rahman.
Aleanca xhihadiste është përcaktuar nga Kombet e Bashkuara si një grup terrorist dhe përllogaritet të ketë rreth 10 mijë luftëtarë në Idlib. Më herët gjatë javës, avionët rusë raportohen të kenë kryer 30 sulme ajrore në zonat e rebelëve në perëndim të Idlibit, në malet e provincës Latakia dhe në kodrat e “Sahl al-Ghab”.

Baby Boo