Sijarto: Kërkesa e Gruevskit për azil në Hungari është çështje juridike, e jo politike


Ministri i Punëve të Jashtme Peter Sijarto deklaroi sot se problemi lidhur me kërkesën e ish kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski për  azil në Hungari është juridike, e jo politike.

“Kjo është çështje juridike, e jo politike. Mbetet që shërbimet tona kompetente ta shqyrtojnë kërkesën e Gruevskit, u përgjigj shkurt Sijarto në pyetjen e gazetarëve në konferencën për shtyp që pasdite në Prishtinë e mbajtën së bashku me nikoqirin dhe homologun e tij Behgjet Pacolli.

Shefi i diplomacisë hungareze tha se vendi i tij e mbështet Kosovën në përpjekjet për liberalizimin e vizave dhe se Bashkimi Evropian (BE) bën padrejtësi me atë që nuk i heq vizat për qytetarët e Kosovës.

“Politika jonë për t’ju mbështetur në integrim në BE dhe organizatat e tjera është e pandryshuar. Hungaria do të mbetet përkrahëse e përkushtuar e liberalizimit të vizave për Kosovën. Është e padrejtë se si sillet BE ndaj Kosovës sa i përket vizave, sepse Kosova i ka plotësuar kërkesat”, tha Sijarto, duke theksuar se  Hungaria në Këshillin e Ministrave të BE-së do të votojë “për” liberalizimin e vizave.

Ai u përqendrua edhe në procesin e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për kontestet midis të dyja vendeve. “Ne tërësisht ju mbështesim  në përpjekjet tuaja që të arrini sukses në dialogun me Serbinë. Ne jemi afër  Ballkanit Perëndimor dhe kuptojmë çfarë do të thotë të ketë paqe dhe stabilitet. Shpresoj se do të keni sukses në këtë proces”, ka porositur Sijarto.

Baby Boo