Si ta mposhtim frikën


Të duket sikur po humbet kontrollin dhe ndjenjat. Ndihesh në rrezik dhe mendimi i vetëm që të vjen në mendje është vdekja. Të gjithë e kanë provuar të paktën një herë këtë shqetësim. Më të prekura janë femrat.

Zemra të rreh fort dhe shpejt, duart ftohen dhe djersiten, fyti thahet, nuk mbushesh me frymë dhe një ankth i madh të pushton trupin pa e ditur arsyen pse. Të duket sikur po humbet kontrollin dhe ndjenjat, ose do të çmendesh. Ndihesh në rrezik dhe mendimi i vetëm që të vjen në mendje në atë moment është: po vdes. Nëse i njeh këto shenja do të thotë se e keni përjetuar terrorin e një sulmi paniku, një shqetësim tepër i përhapur te njerëzit, sidomos te femrat.

Në fakt asnjë shenjë e veçantë nuk tregon se ndoshta pas pak kohësh do të përjetojmë një krizë paniku. Zakonisht krizat zgjasin nga dhjetë deri në tridhjetë minuta, dhe përfundojnë me një ndjesi të keqe dhe lodhje. Por çfarë është një krizë paniku? Është një reagim i tepruar fizik dhe psikologjik, që i detyrohet asaj që ne e perceptojmë si një rrezik, dhe në të vërtetë nuk është i tillë. Ndërsa frika është një përgjigje emotive ndaj një kërcënimi të rrezikut objektiv; ankthi nuk suportohet nga asnjë element objektiv. Paniku mund të shfaqet në çdo rast te një njeri, por kur krizat përsëriten, do të thotë se personi vuan nga sindroma e panikut. Shpesh këto lidhje akute mund të jenë të shoqëruara me fobitë. Në fakt personi që ka përjetuar shumë kriza paniku, përpiqet t’i shmangë situatat që lidhen me atë eksperiencë, që ndonjëherë janë me pasoja dramatike për jetën e tij sociale. Nëse krizat i janë shfaqur në një supermarket, atëherë personi nuk do të dëshirojë të vërë kurrë këmbë atje, nga frika se mos përjeton sërish një eksperiencë të frikshme. Me siguri në shfaqjen e panikut ndikon edhe një përbërës gjenetik që e parapërgatit personin të vuajë. Nëse në familjen tuaj ka njerëz të prekur nga ky shqetësim, ka gjasa që edhe ju të vuani. Ngjarjet stresuese të jetës mund ta favorizojnë këtë lloj shqetësimi. Humbja e një personi të dashur, ose vështirësitë e shumta në punë dhe konfliktet e pazgjidhura, mund të favorizojnë gjithashtu shfaqjen e papritur të panikut. Zakonisht ato që dominojnë janë simptomat fizike: marrje mendsh, të vjella, djersë të ftohta, ndjesi sikur mbytesh, dhimbje gjoksi, konfuzion, trullosje. Të gjitha këto janë simptoma që të bëjnë të mendosh për patologji të vërteta si infarkti, ose kriza hipoglicemie. Dhe nuk është për t’u çuditur nëse personi që shkon në spital me këto simptoma, t’i bëhet edhe një elektrokardiogramë, për t’u siguruar që nuk bëhet fjalë për patologji fizike. Njerëzit që përjetojnë kriza paniku, janë të bindur se u kanoset një rrezik i madh, për shembull që do të vdesë ose do të çmendet. Gjithashtu paniku është i pranishëm edhe te gjestet e tij. Gjatë një krize paniku ndiejnë nevojën për t’u arratisur, për t’ia mbathur nga vendi ku gjenden, pra kanë nevojë për ajër të pastër që të marrin veten dhe të mendojnë. Përballja me frikën? – Jeni të trembur? Duhet të dini se ajo që ndieni është vetëm një konfuzion i organizmit tuaj ndaj stresit. – Lërini ndjenjat e lira dhe mos e luftoni ndjenjën e panikut, pranojeni. Do të shihni që nuk do t’ju ndodhë asgjë. – Mundohuni të mos e ushqeni panikun me mendime të këqija, dramatike e katastrofike.

– Përpiquni të mos e përqendroni mendjen tuaj tek ajo që ndien trupi. Mos mendoni që diçka e keqe po ndodh. – Prisni dhe lërini kohë frikës të largohet. Nëse nuk e ngarkoni veten me mendime të tmerrshme që ju qarkullojnë nëpër kokë, do të shihni që ndjenja e terrorit do të largohet vetë. – Mos u shtrini. Nëse jeni pre e panikut dhe ju ka shkuar gjaku në fund të këmbëve, mos u përpiqni t’u mbushni mendjen të tjerëve se ndiheni mirë. Është më mirë t’ua bëni me dije të tjerëve dhe të gjithë bashkë ta kapërceni këtë situatë të vështirë. – Gjatë një krize paniku keni ndjesinë sikur ju merret fryma. Për ta larguar këtë moment të padëshiruar, merrni frymë thellë dhe ngadalë, në mënyrë që të ndiheni më mirë. Të jeni të bindur se pas pak minutash do t’ju kalojë gjithçka dhe do të merrni frymë normalisht. – Pas krizave të shpeshta paniku, do të ishte mirë të konsultoheshit me mjekun. Më pas ai do t’ju këshillojë nëse është i nevojshëm një trajtim farmakologjik ose psikoterapeutik.

Baby Boo