Si koronavirusi i shkatërron mushkëritë! Edhe pas shërimit mund të ketë pasoja


Kështu duken mushkëritë e shëndosha.

Por kështu dukeshin mushkëritë e një të infektuari me koronavirus para se të ndërronte jetë.

Zona me ngjyrë të bardhë tregon se mushkëria ka qenë tërësisht jofunksionale, shpjegon Zekrja Shaini, specializant në pulmologji.

“3 ditë para se pacienti të ndërrojë jetë i është bërë kjo fotografi e mushkërisë ku shihet qartazi, këto pjesë mund të themi se nuk kemi fare mushkëri. Është vetëm kjo pjesa ku është më me të zezë, janë pjesët që kanë funksionuar dhe pacienti përmes kësaj pjese është furnizuar me oksigjen që fatkeqësisht ka përfunduar me fatalitet, me vdekje”, tha Zekrja Shaini, specializant pulmologji.

Viktima ka qenë grua 60 vjeçare, që para se të preket nga virusi korona ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore shpjegon mjeku pneumolog.

“Mushkëria humb funksioni i mushkërisë, nuk është balanci ashtu siç duhet mes oksigjenit dhe dyoksidit të karbonit, pra mushkëria e humb funksionin e vet prandaj pacientët që janë prekur ndjejnë lodhje dhe atë ndjenjën e mos mbushjes me frymë”, tha Zekrja Shaini, specializant pulmologji.

Shaini thotë se simptomat e koronavirusit nuk janë të njëjta tek të gjithë pacientet. Ata më moshë më të re mund ta kalojnë edhe pa simptoma. Ata që preken më rëndë, edhe pasi shërohen do të kenë pasoja.

“Mushkëria nëse dëmtohet pjesërisht do me thënë, shfaqet bronkopneumoni, do të mbeten pasojat, shenjat do të mbeten aty dhe mushkëria nuk do të jetë në funksion siç ka qenë më përpara. Andaj bëj apel, sepse nuk mund t’i marrim dy skajet, nga korona o shërohet ose vdes, duhet ta shohim edhe mesin, se cilat do të jenë pasojat”, tha Zekrja Shaini, specializant pulmologji.

Më të kujdesshëm dhe më rreptë duhet të mbrohen ata që janë me sëmundje kronike të organeve të frymëmarrjes. Doktori Shaini, që ka qenë pjesë e ekipit të mjekëve në Dibër kur ky qytet ishte vatër infeksioni, bën apel që qytetarët të kenë kujdes, të respektojnë masat e të mos kenë ndonjë frikë nga testimi.