Si e keni vetëbesimin?


Vetëbesimi është mendimi i përgjithshëm që keni për veten, çka ndieni sinqerisht për veten dhe sukseset, aftësitë, mangësitë dhe kufizimet tuaja. Vetëbesimi i shëndetshëm do të thotë që ndiheni mirë dhe që veten e shihni si person që meriton respektin e tjerëve. Kur keni vetëbesim të ulët mund t’i zhvlerësoni mendimet dhe idetë tuaja, duke u brengosur vazhdimisht që nuk janë mjaft të mira.

Edhe pse përparësitë e ndërtimit të vetëbesimit të shëndetshëm shpesh kanë të bëjnë me fëmijët, ka edhe mjaft shumë të rritur të cilët duhet të punojnë në vetëbesimin e tyre, transmeton Koha.net.

Faktorët që ndikojnë në vetëbesim

Vetëbesimi fillon të formohet herët në jetë. Faktorët që mund të ndikojnë në vetëbesim përfshijnë:

reagimet e njerëzve tjerë ndaj jush;

mendimet dhe perceptimet personale;

shkolla dhe përvojat jashtë shkollës;

përvoja e punës;

sëmundja, invaliditeti ose lëndimet;

kultura;

religjioni;

roli dhe statusi në shoqëri.

Sidomos të rëndësishme janë raportet apo marrëdhëniet me ata që i keni të afërt, si prindërit, motrat dhe vëllezërit, moshatarët, mësimdhënësit dhe personat tjerë të rritur të rëndësishëm për ju. Shumë besime që i keni për vete sot varen prej mesazheve të cilat i keni marrë nga ata njerëz me kalimin e kohës. Nëse keni marrëdhënie të mira me të afërmit kryesisht do të merrni informata kthyese pozitive, dhe ka më shumë të ngjarë që veten do ta shihni si një person që i meriton. Megjithatë, nëse fitoni kryesisht informata kthyese negative dhe shpesh ju kritikojnë, nënvlerësojnë apo nënqeshin, ka shumë më shumë mundësi që të keni vetëbesim të ulët.

Mendimet tuaja ndoshta kanë ndikimin më të madh në vetëbesim, dhe ato janë njëri aspekt i vetëbesimit të cilin mund ta kontrolloni.

Vetëbesimi lëviz nga shumë pozitiv deri tek ai shumë negativ. Asnjëri ekstrem nuk është i shëndetshëm. Edhe pse vetëbesimi ndryshon me kalimin e kohës, varësisht nga rrethanat, përgjithësisht mbetet në nivelin i cili reflektohet si përshtypja e përgjithshme për veten.

Vetëbesimi i lartë i tepruar

Nëse për veten mendoni shumë më mirë se të tjerët, ndoshta keni shikimi pozitiv joreal për veten. Kur keni ndjenjë tepër të madhe të vetëbesimit, shpesh ndiheni superior ndaj të tjerëve. Ndjenjat e tilla mund të çojnë deri te ajo që mund të bëheni arrogantë dhe të besoni që i keni merituar disa beneficione apo lehtësira të veçanta.

Vetëbesimi i ulët

Kur keni vetëbesim të ulët apo negativ, i vlerësoni shumë pak mendimet dhe idetë tuaja. Përqendroheni tek mungesat dhe të metat, dhe aspak nuk i vlerësoni dijet dhe shkathtësitë tuaja. Besoni që të tjerët janë më të mirë se ju.

Vetëbesimi i shëndetshëm

Vetëbesimi i shëndetshëm gjendet në mes të këtyre dy skajshmërive. Kjo do të thotë të keni shikim të balancuar, dhe të saktë mbi veten. Për shembull, keni mendim të mirë për aftësitë tuaja, por i njihni të metat. Kur i kuptoni vlerat tuaja, ju respektojnë edhe të tjerët.

Është normale që kohë pas kohe të mos mendoni më së miri për veten. Çdokush ndonjëherë ndihet i pasigurt në aftësitë, arritjet apo pamjen e vet. Megjithatë, kur mendoni keq për veten në shumë fusha të jetës, ato ndjenja me vite bëhen konstanta. Vetëbesimi i ulët ndikon në mënyrën se si ndiheni, silleni dhe ndikon në marrëdhëniet me të tjerët.

Si mund ta dini që mendoni keq për veten?

 Shpesh flisni negativisht për veten, si “jam dështim, dhe kurrë nuk do të arrij asgjë”;

• Jeni të preokupuar me mangësitë dhe dobësitë e juaja;

• Ju duhet vazhdimisht bindja nga të tjerët, çka nuk ju liron nga pasiguria;

• Jeni të paaftë të pranoni lavdërimet apo informatat kthyese pozitive;

• I frikësoheni mossuksesit;

• Vështirë përballeni me situatat stresuese;

• Kur keni vetëbesim të mirë ndiheni sigurt, me vlerë dhe në përgjithësi keni marrëdhënie të mira më tjerët. Po ashtu jeni të hapur për mësim dhe informatat kthyese, të cilat mund t’ju ndihmojnë të zotëroni shkathtësi të reja.

Vetëbesimi i shëndetshëm do të thotë që jeni:

• më pak të prirë ndaj ndjenjave siç janë mungesa e shpresës, pavlefshmëria, faji dhe turpi;

• pa problem mund t’i shprehni nevojat dhe mendimet e juaja;

• besoni në aftësinë tuaj për të marrë vendime;

• ka më pak gjasa që do të qëndroni në lidhje të pashëndetshme;

• jeni real në pritjet dhe ka më pak gjasa që do të jeni së tepërmi kritik ndaj vetes dhe të tjerëve;

• mund të përballeni me stresin dhe situatat e paparashikueshme;

• ka më pak mundësi që do të zhvilloni ndonjë sëmundje si çrregullimi në të ushqyer, varësi, depresion dhe anksiozitet.

Vetëbesimi ndikon në çdo aspekt të jetës, prandaj shikimi real ndaj vetes është shumë i rëndësishëm.

Baby Boo