“Shvercerat” godasin presidentin e FC Shkupit: Largohu e mos prit që ne t’ju largojmë!

Pas humbjes së sotme nga ekipi i Vardarit, tifo grupi Shvercerat kanë reaguar ndaj presidentit të FC Shkupit duke kërkuar largimin e tij.

Në reagimin e tyre shkruajnë se Shkupit i duhen trofe dhe arritje mirëpo nuk arrihen këto suksese kur nuk luhet me pasion.

Duke numëruar sfidat e KF Shkupit që nga themelimi e deri tek statusi i Kampionit, Shfercerat kanë kërkuar ndryshime në udhëheqje.

Reagimi i plotë:

Deri te: Drejtuesit aktual dhe presidentit të përkohshëm të FC Shkupi

Shkupi është i etur për trofe dhe arritje, por ne nuk mund të arrijmë sukses nëse nuk luajmë dhe punojmë me pasion dhe përkushtim për këtë klub. Janë të shumtë futbollistët e rinj shqiptarë nga akademia jonë që janë gati të japin gjithçka për ngjyrat e këtij klubi. Shkupi meriton më shumë, pasi përfaqëson jo vetëm një klub, por edhe historinë dhe traditën që kemi ndërtuar dhe përcjellë brez pas brezi; mishëron krenarinë e shqiptarëve në këtë qytet. Nëse nuk ju pëlqen ky klub, atëherë duhet të shkoni. Ne jemi ata që e kemi transformuar këtë klub nga hiçi, duke u ngjitur nga liga e tretë në statusin kampion. Ne jemi përballur me sfida më të vështira se sa sot dhe kemi gjetur gjithmonë një rrugë përpara. Ne nuk kemi nevojë për individë si ju që shqetësohen vetëm për përfitimet personale dhe jo për mirëqenien e klubit. Nëse nuk i merrni më seriozisht këto qështje, atëherë largohuni dhe mos prisni që ne t’ju largojmë.

Shkupi është i Shvercerave, i Shkupjanëve, i Shqiptarëve.