Shteti liron hajna dhe burgos policë të ndershëm!


Nga Artan Hoxha dhe Elton Qyno

Një skandal i paprecedentë ka përfshirë prokurorinë e Kukësit dhe drejtorinë e policisë së qytetit verior duke sjellë erën e rëndë të korrupsionit deri në Tiranë. Kjo është historia e një trafikanti droge të dënuar në formë të prerë nga gjykata e Tiranës, i ndaluar nga policia e Kukësit në mes të tetorit, ndërsa tentonte të arratisej në Kosovë me dokumente fallse dhe në mënyrë të pabesueshme lihet i lirë brenda tre ditëve nga një grup policësh që thonë se kanë vepruar me urdhër të një prokurori.

Por kjo është edhe historia e një oficeri policie të guximshëm, i cili denoncoi skandalin dhe që në vend që të mbrohej nga eproret e tij, u pezullua nga detyra dhe i nënshtruar ndaj një procedimi disiplinor. Trafikanti i ndaluar dhe më pas i lënë i lirë quhet Naser Adem Gashi, 58 vjeç nga Mitrovica, dhe ndërsa shkruajmë këtë investigim është ende i lirë në ndonjë zonë të rajonit.

“Shqiptarja.com” lexoi një pjesë të dosjes së kësaj historie që dëshmon në të gjithë skandalin e saj se sa e vështirë dhe e largët është akoma lufta fitimtare ndaj kriminalitetit. Arrestimi dhe lirimi i trafikantit të drogës Naser Gashi në Kukës, ka sjellë përshtjellim mes rradhëve të policisë së Kukësit dhe në Ministrinë e Brendshme, pasi ky person që kërkohet prej 5 vitesh nga drejtësia Shqiptare, është liruar duke kapërcyer pragun e komisariatit të Kukësit, në mënyrë të pabesueshme dhe aspak ligjore.

Baby Boo