Shteti ia lë në dorë Erdoganit dy xhamitë më të vjetra në Kosovë


Restaurimi i dy xhamive më të vjetra në Kosovë po mbetet në duart e organizatës shtetërore turke TIKA. Kështu u vendos dje me një memorandum, e po ashtu u ‘miratua’ në heshtje sot, dhe me një premtim për mbikëqyrje.

Firmat e përfaqësuesve të TIKA’s turke dhe Ministrisë së Kulturës u hodhën dje në një memorandum në praninë e myftiut kosovar Naim Tërnava dhe ambasadores turke, Kivilcim Kiliç, shkruan gazetametro.net.

Sipas kësaj marrëveshje, Xhamia e Çarshisë në Prishtinë dhe Xhamia Bajrakli në Prizren do të restaurohen me paratë e TIKA’s turke, organizatë kjo e afërt me presidentin turk, Recep Tayip Erdogan.

Metro ndërkohë, ka pyetur Ministrinë e Kulturës dhe Qeverinë e Kosovës rreth këtij memorandumi dhe kushteve në të cilat do të kryhet restaurimi. Institucionet kanë thënë se memorandumet nuk përmbajnë vetëm kushtet e financimit por edhe dispozita të tjera.

Sipas zyrës së Haradinajt e cila përcjell përgjigjen e Ministrisë së Kulturës, ata edhe do të mbikëqyrin punën e tyre.

“Memorandumet e bashkëpunimit nuk përmbajnë dispozita vetëm për kushtet e financimit. Është esenciale që hartimi dhe zbatimi i projekteve do të bëhet në përputhje me Ligjin për Trashëgimi Kulturore dhe Ligjin për Qendër Historike të Prizrenit si dhe akteve tjera juridike në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MKRS’së për Metron.

Pyetje i është drejtuar edhe direkt kryeministrit Ramush Haradinaj për të pyetur se a është në dijeni kryeministri për projektet nga organizata turke që ka lidhje me presidentin turk, me të cilin Haradinaj kishte disa konflikte kohëve të fundit. Zyra e Haradinajt ka injoruar këtë pyetje.

Ndërkohë që udhëheqësi kryesor i shtetit nuk u përgjigj, dje për këtë memorandum foli sekretari i MKRS’së, Veton Firzi. Ai u shpreh i lumtur.

“Sapo nënshkrova memorandumin me të cilin vendoset të restaurohen dy xhami. Falenderoj Qeverinë turke dhe TIKA’n’, ka thënë dje Firzi.

Pas tij edhe myftiu Tërnava shprehu kënaqësinë për këtë gjë, duke u shprehur i lumtur që dy xhamitë më të vjetra po renovohen nga organizata turke. Tërnava këtë memorandum e lidhi me natën e madhe të myslimanëve, duke e konsideruar këtë si dhuratë.

E fjalët e sekretarit të MKRS’së dhe myftiut kosovar konsistojnë me ato të ambasadores turke. Kilic ka përshëndetur memorandumin duke thënë ‘urime’ në gjuhën shqipe.

Sidoqoftë, për xhaminë në Prishtinë kishte nisur një proces restaurimi, por ishte ndalur pas një kontesti. Projekti ishte bllokuar që prej 6 vitesh.

E investimi i TIKA’s në këto dy xhami nuk është i pari dhe as i rrallë. Kjo organizatë ka restauruar edhe monumente të tjera dhe ka financuar projekte vazhdimisht. Një që kujtohet vazhdimisht, është xhamia kryesore e Mitrovicës, e cila u ndërtua më e madhe me kushtin që t’i ndërrohet emri.

Ndryshe, këto dy xhami konsiderohen si prej më të vjetrave në Kosovë. Xhamia e Çarshisë në Prishtinë është ndërtuar në vitin 1393, ndërkaq Xhamia Bajrakli në Prizren daton nga viti 1545.

Baby Boo