Shtetasi shqiptar që jeton në Kosovë i nënshtrohet testit për koronavirus pas kthimit nga Shqipëria


Infektologu Valbon Krasniqi, ka folur rreth rasteve të dyshuara me koronavirus, analizat e të cilave pritet të dalin gjatë ditës së sotme. Krasniqi ka treguar se një nga pacientët dyshohet se kishte vizituar familjarët e tij në Shqipëri.

Krasniqi ka treguar se deri më tani, në Kosovë nuk është asnjë rast i konfirmuar me virusin Covid-19.

“Të gjitha mostrat që merren në Klinikën Infektive, dërgohen në Institutin Kombëtar për testime, deri në momentet kur po flasim, në Klinikën Infektive nuk kemi asnjë rezultat zyrtar pozitiv. Për të gjithë personat që deri ditën e djeshme janë testuar, rezultatet janë negative, për 5 apo 6 pacientë janë dërguar mostrat dhe nuk kemi asnjë rezultat, as pozitiv e as negativ. Nuk paragjykojmë se si do të dalin këto rezultate”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërkohë, ai ka shtuar se njëri nga pacientët i cili po pret rezultatin e analizave, duket se ka qenë në vizitë tek familjarët në Shqipëri.

“Është një person i cili jeton qe një kohë të gjatë në Kosovë dhe si duket ka vizituar një familjar të vetin në Shqipëri”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë kujtojmë se në Shqipëri, tashmë janë të konfirmuara 12 raste me koronavirus.

Një ndër këta persona, ka ndërruar jetë mëngjesin e së mërkurës.

Baby Boo