Nga Albulena Halili
Shqiptarët në Maqedoni nuk duhet bërë pjesë e fushatës qeveritare për referendumin në Maqedoni. Arsyet janë si vijojnë:
1. Shqiptarët nuk ka nevojë të binden për perspektivën e tyre euro-atlantike. Ata gjithmonë e kanë dashur këtë. Madje, shqiptarët janë të vetmit ndër popujt ballkanikë, të cilët pa marrë parasysh në cilin shtet jetojnë, ndofta edhe pa vullnetin e tyre, kanë qenë të palëkundur në aspiratën për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe BE-së.
2. Interesi euro-atlantik i shqiptarëve lidhet edhe me praninë e Shqipërisë në NATO dhe NATO-s në Kosovë. Rreshtimi gjeopolitik i pavullnetshëm i shqiptarëve në Maqedoni me aleanca të tjera në kundërshtim me Aleancën Veri-Atlantike, për shqiptarët ka qenë dhe mbetet gjithmonë i papranueshëm dhe shkak vendimtar për kërkim të alternativave të tjera në vend të status-quo-së.
3. Përkundrazi, në Maqedoni ata kanë mbetur peng i problemeve të këtij shteti dhe një pjese të popullit të saj, të cilët me kushtetutën njëetnike padrejtësisht janë edhe bartësit e sovranitetit të këtij shteti.
4. Pengesë në mos anëtarësimin e Maqedonisë në NATO nuk ka qenë vetëm çështja bilaterale me Greqinë për emrin. Mes maqedonasve gjithnjë ka qenë i pranishëm dhe akoma është një refuzim i tyre sidomos për NATO-n. Dhe këtu nuk përjashtoj politikisht asnjë bllok politik maqedonas. Protesta të mëdha kundër NATO-s u organizuan në shumë qytete të Maqedonisë gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë në vitin 1999. Madje ajo që habit është se protestat e mbajtura në Shkup kundër NATO-s, në gjashtëdhjetë vjetorin e saj, janë organizuar pikërisht nga ata të cilët dje protestonin kundër regjimit, ndërkaq sot janë në krye të shtetit e të fushatës për referendumin.
5. Fushata qeveritare për referendumin në Maqedoni po bëhet për maqedonasit, respektivisht në masë të madhe për opozitën maqedonase, madje pa përjashtuar këtu as përfaqësues të pozitës dhe qarqe të tjera të elitës maqedonase, e jo për shqiptarët. Andaj çdo pjesëmarrje e aktorëve shqiptarë, qofshin ata politikë (pozitë a opozitë), akademikë, intelektualë a të tjerë, është krejtësisht e panevojshme madje hipokrite.
6. Objekti i fushatës injoron në tërësi elementin shqiptar në këtë shtet. Vetë fushata është njëetnike, mbështetet në prejardhjen maqedonase, vlerat e tyre, arritjet historike, gjuhën e vetme zyrtare, krenarinë maqedonase e kështu me radhë. Kjo i bën shqiptarët të duken një patericë e përkohshme drejt realizimit të kauzës së tyre, e cila do flaket tej sapo të përmbushet ajo.
7. Shqiptarët në këtë kauzë duhet të unifikohen e të pozicionohen me një qëndrim unik kombëtar, pa dallim të pjesëmarrjes së tyre në pushtet dhe kurrsesi të mos bëhen pjesë e fushatave qeveritare. Përfaqësuesit politikë shqiptarë në Maqedoni duhet të ulen në Tryezën e Përbashkët, e cila është paraparë në Dekleratën e Përbashkët të Partive Politike Shqiptare në Maqedoni, e ta shprehin fuqimisht dhe publikisht këtë vullnet tonin.
8. Krejt në fund, por jo më pak e rëndësishmja, përkundrazi ndoshta vetë thelbi, është se shqiptarët në Maqedoni duhet që domosdo ta kushtëzojnë përkrahjen e tyre në aspiratën euro-atlantike të Maqedonisë, me barazinë e plotë kushtetuese. Ky kushtëzim padyshim që duhet bërë nën garancinë e aktorëve ndërkombëtarë.
Ne nuk kemi nevojë për një fushatë të këtillë!
Ne nuk kemi nevojë të bindemi për të hyrë në NATO!
Ne kemi qenë dhe jemi gjithmonë pro NATO-s!
Madje është bërë tepër vonë!