Shqipëria do të hapë kampe të përkohshme pranimi për emigrantët që kërkojnë azil


Zëvendësministrja shqiptare e Punëve të Brendshme, Rovena Voda, paralajmëroi forcimin e kapaciteteve kufitare me vendosjen e kampeve pranuese të përkohshme për emigrantët që kërkojnë azil.

Sipas saj kjo parashikohet me Projektligjin e ri për azilin i cili gjithashtu e shkurton periudhën për të marrë përgjigje për kërkesën për azil, të cilin aplikuesit tani do ta marrin brenda dhjetë ditësh.

“Me ligjin e ri pritet të përmirësohet situata me azilkërkuesit në disa zona, të forcohet kapaciteti i kufirit, me vendosjen e disa kampeve dhe lehtësim të procedurave për verifikimin e emigrantëve”, deklaroi Voda për Ora Njuz.

Ajo shtoi se do të rritet identifikimi i numrit të emigrantëve të paligjshëm në vend, do të shmanget lëvizja e tyre në territorin shqiptar si dhe një specifikim më i saktë i personave që kërkojnë azil politik.

“Kjo procedurë do të ndihmojë në selektimin më të shpejtë të këtyre njerëzve, duke i kategorizuar ata që nga vet fillimi. Ligji parashikon sanksione më të ashpra për emigrantët që i shkelin rregullat e qëndrimit dhe do t’u refuzohet azili. Kufizime gjithashtu do të vendosen në lëvizjen jashtë Qendrës së Azilit në Barbu dhe do të ketë një monitorim më të rreptë të emigrantëve në kampet dhe qendrat pritëse”, shpjegoi Voda.

Sipas televizionit, ligji i ri pritet ta përmirësojë situatën aktuale me emigrantët, të cilët “shpesh shkaktojnë probleme me përfshirjen në vepra të ndryshme penale”.

Sipas statistikave të policisë vitin e kaluar në Shqipëri azil kanë kërkuar më shumë se 5,000 të huaj, kryesisht shtetas sirianë.

Baby Boo