Shqipëria dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit


Shqipëria ka nënshkruar sot në Ankara një marrëveshje për krijimin e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit me Turqinë duke forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Në një konferencë të drejtpërdrejtë ku u nënshkruan disa marrëveshje pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Ankara, presidenti Erdogan e konsideroi marrëdhënien me Shqipërinë si marrëdhënie “vëllazërore” dhe marrëveshjen e nënshkruar sot si një hap përpara për bashkëpunim edhe më të ngushtë.

“Kemi nënshkruar deklaratën e përbashkët për krijimin e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit deklaratë që do ta forcojë lidhjen tonë,” – tha Erdogan, i cili njoftoi se mes dy vendeve ishte vendosur që të forcohej lufta kundër organizatave që Ankaraja i cilëson si terroriste. “S’do të lejojmë që Feto [organizatat e Fethullah Gülen] të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve” – u shpreh Erdogan duke njoftuar se mes marrëveshjeve të nënshkruara parashikohen ndërlidhje të mëtejshme mes shkollave dhe universiteteve të Tiranës me ato të Ankarasë.

Presidenti turk kujtoi projektet si ai i ndërtimit të mbi 500 banesave në zonën e Laçit për familjet që mbetën pa strehë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe një sërë projektesh të tjera si tregues të vullnetit dashamirës së Turqisë për Shqipërinë. Ai uroi që zgjedhjet e ardhshme të jenë të dobishme për vijimin e përparësisë së Shqipërisë.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se marrëveshja për Këshillin e Lartë të Bashkëpunimit e ngre në një nivel tjetër marrëdhënien mes dy vendeve pasi krijohen grupe të përbashkëta pune, të cilat mund t’i kapërcejnë më lehtë pengesat që hasen zakonisht.

“Jam shumë i kënaqur që Presidenti shprehu gatishmërinë, jo vetëm me fjalë, por edhe ndjekjen e projekteve për ndërhyrje në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe kulutrës, besoj është lajm i mirë që Universiteti ITU, i famshëm për teknologjinë e Stambollit, do të jetë prezent së shpejti në Shqipëri, sikundër jam i lumtur që së shpejti edhe spitali rajonal i Fierit do të jetë realitet,” – tha kryeministri Rama, i cili më pas ironizoi se ka vënë bast që brenda tre muajsh spitali në Fier do të jetë gati.

Përpara konferencës për shtyp nënshkruan marrëveshjen ministrja e Arsimit Evis Kushi, Kulturës Elva Margariti dhe e Infrastrukturës Belinda Balluku.
Nga deklarata për shtyp e Presidentit Erdogan, u kuptua se në fushën e shëndetësisë autoritetet turke kanë rënë dakord të mbështesin sistemin e shëndetësisë me ndërtimin e disa spitaleve dhe asistencën në kualifikimin e stafit shëndetësorë, në fushën kulturës është nënshkruar një marrëveshje për rikonstruktimin e xhamisë së Plumbit në Shkodër, në fushën e arsimit ndërlidhje e universiteteve dhe shkollave mes dy vendeve dhe hapjen e një filjali të një shkolle të teknologjisë nga Turqia.

Baby Boo