Shqipëri/ Tre ditë pa asnjë të vdekur nga koronavirusi, shtohen të shëruarit: A po ia hedhim?


Mesa duket kurba e epidemisë së koronavirusit në vendin tonë e ka arritur kulmin dhe mund të jetë drejt rënies. Të paktën kështu po thuhet ditëve të fundit nga ekspertët e fushës.

Deri më tani, Shqipëria numëron tre ditë rresht pa asnjë viktimë, pra në datat 7, 8 dhe 9 prill nuk kemi pasur asnjë viktimë të shkaktuar nga Covid-19.

Po ashtu, edhe numri i të infektuarve gjatë këtyre tre ditëve ka qenë relativisht i ulët, përkatësisht, të martën në vendin tonë janë regjistruar 6 raste të reja me koronavirus, të mërkurën 17 raste dhe të enjten vetëm dy raste.

Ndërsa, siç ka raportuar Ministria e Shëndetësisë dhe vetë kryeministri Rama, numri i personave që shtrohen në spitalet Covid po vjen drejt rënies.

Në një postim të bërë të mërkurën në llogarinë e tij në Facebook Rama shkruante se falë masave të shpejta e të forta dhe rezistencës suaj të shkëlqyer, 10 ditët e fundit kemi rënie graduale të shtrimeve në mjediset spitalore covid.”

Postimi:

SHUMË E RËNDËSISHME: FALË MASAVE TË SHPEJTA E TË FORTA DHE REZISTENCËS SUAJ TË SHKËLQYER, 10 DITËT E FUNDIT KEMI RËNIE GRADUALE TË SHTRIMEVE NË MJEDISET SPITALORE COVID?

*Ky tregues që e has shumë pak, për të mos thënë fare në vendet e tjera nën agresion, ku mbingarkesa e spitaleve po vjen si haraç për vonesat në marrjen e masave, na thotë qartë se e para, po bëjmë gjënë e duhur; e dyta, duhet të vazhdojmë kështu, me durim të madh, sepse armikun e kemi pas çdo porte; e treta; po vazhduam kështu do të dalim më shpejt fitimtarë se shumë të tjerë, më të mirë, më të fortë dhe me kokën lart përpara brezave që vijnë nga kjo sfidë historike?

Të njejtën gjë e konfirmoi edhe mjeku pneumolog nga spitali “Shefqet Ndroqi” ose Covid 2, Arian Mezini në një lidhje direkte me ABC News.

Mjeku u shpreh optimist:

“Optimizmi im për njerëzit është se në po shohim këto ditë që si në Spitalin Infektiv, ashtu edhe në spitalin tonë rastet që po paraqiten janë shumë më të pakëta. Nga ana tjetër, po vutë re, nga një intervistë që dha drejtori i Urgjencës Kombëtare në muajin mars, thirrjet për probleme ose dyshime për Covid-19 shkonin rreth 4000-5000 thirrje në ditë. Ndërsa momentalisht foli për rreth 1000 thirrje drejt Urgjencës Kombëtare në ditë. Dhe, sigurisht që ky është një indikacion indirekt që po arrimë drejt një stabiliteti. Shpresojmë që të qendrojmë këtu.”

Sipas të dhënave të përditësuara të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë të enjten, gjatë 24 orëve të fundit në vendin tona janë shëruar nga virusi 11 persona duke bërë që numri i përgjithshëm i të shëruarve të shkojë në 165. Numri më i lartë i të infektuarve brenda një dite në vendin tonë, është regjistruar më 4 prill kur u raportuan 29 të infektuar me koronavirus dhe një i vdekur. Që pas kësaj date nuk kemi pasur një shifër më të lartë.

Kështu, shifrat dhe ekspertët sygjerojnë se Shqipëria mund të jetë tashmë në një sheshim të kurbës së infeksionit, por gjithsesi kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.

Baby Boo