Shqipëri, gjatë 2018 vetëm 23 parcela marijuanë


Në Shqipëri, policia njoftoi sot se sipërfaqet e mbjella me marijuanë në 5 muajt e parë të këtij viti, kanë rënë në mënyrë të ndjeshme. “Rastet e konstatuara të kultivimit janë 23 parcela me 2,579 bimë dhe 878 bimë të asgjësuara në kubikë. Krahasuar me 2017 janë 53 parcela më pak, ose rreth 21,500 bimë më pak të kultivuara”, deklaroi Gjovalin Loka, drejtor për Rendin dhe Sigurinë në një dalje për mediat.

Që nga ditët e para të vitit, Policia e Shtetit ka zhvilluar rreth 70 mijë kontrolle dhe ri-kontrolle masive të territorit, në ambiente të hapura, ish-objekte ushtarake, sera, magazina e shtëpi të braktisura. “Ditën e djeshme, në mbarë vendin, 220 grupe kontrolli të Policisë së Shtetit kanë ushtruar 3,590 kontrolle. Policia ka evidentuar 2 raste të kultivimit të narkotikëve, konkretisht 1 rast në pyllin e fshatit Nikël, Krujë me 23 bimë dhe 1 rast në fshatin Frashër, Përmet në një zonë të pyllëzuar ku u asgjësuan 1,800 bimë narkotike, tha zoti Loka.

Në ndryshim nga më parë, këtë vit, kanë nisur që muajin e kaluar dhe monitorimet nga ajri të Guardia di Finanza-s italiane e cila deri më tani, “ka kryer 29 misione fluturimi. Misioni ka hartuar 17 raporte monitorimi ajror, por nuk është konstatuar asnjë bimë narkotike e kultivuar”, deklaroi Drejtori për Rendin e Sigurinë.

Pas përhapjes së madhe që fenomeni i kultivimit të marijuanës pati gjatë 2016, vitin e kaluar sipërfaqja e mbjellë pësoi një rënie të ndjeshme. Sipas të dhënave të Guardia di Finanza-s italiane, numri i plantacioneve të zbuluara nga vrojtimi ajror në 2017-n ishte 88 në një sipërfaqe prej 1.9 hektarësh, nga 2086 në vitin 2016 kur ato mbulonin një sipërfaqe prej 231 hektarësh. Në total gjatë 2017 numri i rrënjëve të shkatërruara shkoi në mbi 50 mijë, nga 2.6 milion të një viti më parë.

Autoritetet shqiptare kanë premtuar se Shqipëria do të dalë përfundimisht nga harta e vendeve ku kultivohet marijuanë.

Baby Boo