Shpëtoi jetën e vogëlusheve në Fier por ja drama e të riut hero: Shkova për peshk të hiqja stresin (video)


Adimir Murataj, është i riu nga Fieri i cili shpëtoi dy vajzat e mitura që po mbyteshin nga nëna e tyre.

Në videon e publikuar nga newsbomb.al, Adimiri shprehet se ai kishte dalë për të peshkuar në momentin që ka parë nënën me dy vajzat, pasi ashtu kalonte kohën sepse ishte i papunë.

I pyetur nëse kishte ndonjë profesion pasi deklaroi se ishte e papunë, ai u shpreh se kishte shkuar disa herë në Zyrat e Punës dhe në Bashkinë e Fierit për të kërkuar punë, pasi kishte mbaruar shkollën për elektricist, por askush nuk i është përgjigjur.

Gjithashtu, ai ka thënë se dhe prindërit i ka papunë, ndërkohë që nuk kërkon shpërblim, pasi siç tha shpërblimi më i madh që ai ka marrë është jeta e atyre dy vogëlusheve të cilat tanimë janë mirë, por kërkon vetëm një vend pune.

Ky rrëfim i të riut nxorri në pah edhe dramën e madhe të shumë të rinjve shqiptarë; papunësinë. Ai kishte shkuar për peshkim për të hequr stresin e të qenit papunë por fati e deshi që të ndodhej në vendin e duhur në kohën e duhur dhe të shpëtonte kështu jetën e dy vogëlusheve binjake të pafajshme.

Apeli bie mbi qeverinë, biznesmenët e politikanët, pasi kudo në botë Adimiri do të ishte shpallur qytetar nderi e do të kishte marrë një shpërblim, ndërkohë që në vendin tonë ai është thjesht një i ri papunë si shumë të tjerë, edhe pse e ka një profesion.

Kujtojmë se, tre ditë më parë në fshatin Grecalli të Fierit 42-vjeçarja Rudina Kishta, pas sherrit me bashkëjetuesin i vuri flakën shtëpisë dhe u largua.

Rudina tentoi të mbyste në lumin Seman dy vajzat e saj binjake 6 vjeçare, por u shpëtuan fatmirësisht nga Adimir Murataj, i cili ndodhej rastësisht aty pasi po peshkonte.
https://www.facebook.com/newsbomb.al/videos/252268212081862/

Baby Boo