Shpërthim vdekjeprurës në Afganistan

Të paktën 25 veta u vranë të shtunën në lindje të Afganistanit, në një sulm vetëvrasës në mesin e një turme ushtarësh qeveritarë, luftëtarësh talibanë dhe civilësh që po kremtonin një armëpushim me rastin e festës së Fiter Bajramit. Grupi militant Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë.

Baby Boo

Forcat e sigurisë i konfirmuan Zërit të Amerikës se në mesin e të vrarëve ka pjesëtarë të forcave afgane të sigurisë, luftëtarë talibanë dhe civilë. Zëdhënësi i qeverisë, Attaullah Khogyani, i tha Zërit të Amerikës se shpërthimi në një paralagje në Jalabalad, kryeqytet i krahinës Nangarhar, la pas vetes të paktën 30 të plagosur.

Nënkryetari i Këshillit Provincial i tha Zërit të Amerikës se sulmi u krye më një makinë bombë. Shteti Islamik ka krijuar një fortesë në Nangarhar dhe militantët e tij kryejnë vrasje e sulme vetëvrasëse.

Shpërthimi i së shtunës përkoi më një fjalim televiziv të presidentit afgan Ashraf Ghani, i cili lavdëroi armëpushimin e përbashkët dhe zgjatjen e njëanshme të armëpushimit nga qeveria.

Nuk ishte e qartë menjëherë nëse edhe talibanët synojnë të zgjasin armëpushimin treditësh.