Shkupi vatra më e madhe e coronavirusit, vala e vjeshtës do të jetë sfidë serioze

Gjatë ditës së djeshme u regjistruan 163 raste të reja me coronavirus, 40 të shëruar dhe tre të vdekur.

Me këto numra, numri i përgjithshëm i rasteve aktive në vend shkoi në 3.284 ndërsa më së shumti raste ka në Shkup, kurse brenda Shkupit në Komunën e Çairit.

Siç njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë, prej rasteve të reja 70 janë nga Shkupi, 2 nga Kumanova, 6 në Dibër, 15 në Shtip, 2 në Prilep, 25 në Tetovë, Strugë 4, Veles 2, Manastir 1, Ohër 9, Kavadar 3, Gostivar 11, Strumicë 1, Kriva Pallankë 2, Koçan 3, Sveti Nikolle dhe Resnjë nga 4.

Numri i të diagnostifikuarve me coronavirus në Maqedoninë e Veriut qysh nga fillimi i epidemisë është 5.758. Numri i pacientëve të shëruar është 2.206, i të vdekurve 268 ndërsa momentalisht ka 3.264 raste.

Tashmë dy javë numri i të infektuarve u rrit në mënyrë drastike me çka u shpall edhe kulmi i dytë i epidemisë, ndërsa Shkupi shënon numrat më të mëdhenj. Në Shkup më së shumti raste aktive ka Çairit me 421 raste më pas vinë Aerodromi me 143, Butelli 139, Gazi Baba 149, Komuna Qendër 125 dhe Karposhi 125.

Megjithatë, në këtë moment, sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe ende s’ka indikacione për vendosje të kufizimeve shtesë dhe se vala e dytë, e cila është më e madhe se e para, po menaxhohet mirë ndërsa sistemi shëndetësor ka kapaciteti t’i pranojë të gjitha pacientët.

Filipçe thotë se gjatë vjeshtës njerëzit do të fillojnë të jenë në ambiente të mbyllura dhe do të fillojnë të punojnë shkollat. Kjo sipas tij është faktor serioz për sitemin shëndetësor. Ai tha se sistemi shëndetësor tani është më i përgatitur në krahasim me fillimin e krizës dhe se duhet të respektohen masat për shkak se vetëm bashkërisht mund të menaxhohojmë me pandeminë.