Shkupi me traditë të re për festën e Kurban Bajramit


Qytetarët të cilët rastisën sot pasdite në sheshin “Maqedonia” në Shkup, patën një rast të veçantë të shijojnë një copë bakllava, të cilën e shpërndau Shoqata edukative “Parimi Kulturor”, nga Shkupi për nder të festës së Kurban Bajramit, me moton “Tradita e re e Shkupit – Një copë bakllava për Kurban Bajram”, percjell Pa Censurë.

Jasir Doshlaku nga OJQ “Parimi Kulturor”, tha se ky është viti i gjashtë që organizata e tyre shpërndan bakllava në sheshin e kryeqytetit, me të cilën dëshirojnë të përçojnë mesazhin për paqe.

Ai thotë se kalimtarët vendorë të besimit të krishterë shfaqin interesin për këtë aktivitet, mirëpo veçon turistët e huaj, të cilët duken më kureshtarë duke parashtruar pyetje se si përgatitet kjo ëmbëlsirë.

“Hapi i parë ka qenë promovimi i tolerancës sepse në këtë qytet jetojnë të krishterë dhe muslimanë, prandaj me këtë shfaqim dashurinë që kemi për të tjerët”, tha ai.

Fatime Sali, një aktiviste në OJQ-në “Parimi Kulturor”, thotë se përshtypjet janë pozitive, meqë i tillë është edhe reagimi i kalimtarëve të cilët urojnë festën e Bajramit.

“Qëllimi dhe mesazhi i këtij aktiviteti është të shpërndajmë sa më shumë dashuri dhe paqe tek të gjithë njerëzit pavarësisht fesë apo kombit të tyre”, thotë ajo, për të shtuar se këtë vit kanë një risi, që është shpërndarja e luleve për gjininë femërore./AA

Baby Boo