Dy persona kanë marrë lëndime të rënda, ndërsa 26 tjerë lëndime më të lehta trupore në 29 aksidente rrugore që gjatë fundjavës që lamë pas kanë ndodhur në rajonin e SPB Shkup.
Policia rrugore ka sanksionuar 147 shoferë që kanë lëvizur me shpejtësi më të madhe se e lejuara, ndërsa nga komunikacioni janë përjashtuar 90 shoferë.
Sipas raportit policor, 38 shoferë e kanë drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, 38 para se të marrin të drejtën e ngasjes së automjetit motorik, ndërsa 14 shoferë fillestarë.
Në mënyrë të parregullt ishin parkuar 136 automjete, ndërsa karrotreci ka marrë 107 automjete.
Janë sanksionuar edhe nëntë këmbësorë të cilët kanë kaluar jashtë vijave të shënuara për ta, 11 shoferë të cilët kanë kaluar në dritën e kuqe të semaforit, dy shoferë të cilët nuk u kanë dhënë përparësi kalimi këmbësorëve, shtatë për rreshtim të parregullt, gjashtë për parakalim të parregullt dhe 19 drejtues të motoçikletave janë sanksionuar për mos shfrytëzimin e helmetave mbrojtëse.