Shkollat pa kushte për konceptin e ri, tabletët dhe televizorët realitet i largët


Shkollat fillore po përmbyllin përgatitjet e fundit për fillimin e vitit të ri shkollor 2021-22. Drejori i shkollës fillore “Sami Frashëri” të fshatit Gllumovë të komunës së Sarajit, Hysni Mustafa ka mirëpritur vendimin që mësimi do të nisë me prezencë fizike. Por, shprehet i shqetësuar për zbatimin e konceptit të ri në arsim, që këtë vit të ri shkollor, për herë të parë do të nisë të zbatohet për klasën e parë dhe të katërt.

Konkretisht, smart tabelat që kërkohen ne si shkollë nuk e posedojmë asnjë prej tyre. Poashtu kemi vështirësi për klasat e katërta, për tabletët që duhen, edhe aty kemi vështirësi. Unë nuk e di se si do të rrjedhin punët por ne mundohemi në bashkëpunim edhe me prindërit që diçka të mund të sigurojmë. Një numër të vogël kemi siguruar edhe nga Ministria e Arsimit, ja sot unë mora disa tabletë por ato nuk mjaftojnë, nuk janë as për 30-35% të numrit të nxënësve, ato janë për rastet sociale – deklaroi Hysni Mustafa, drejtor i Sh.f “Sami Frashëri” Gllumovë – Saraj.

Përveç tabelave smart, programet e reja mësimore tashmë të publikuara nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit kërkojnë mjete dhe pajisje të ndryshme për realizimin e orës mësimore për klasën e parë dhe të katërt, si: kompjuterë, tabletë ose laptopë për nxënësit, televizorë, enciklopedi për fëmijë, forma 2D dhe 3D, lodra, e shumë të tjera. Pavarësisht këtyre kërkesave, në shkollën fillore të Gllumovës paraqitet edhe nevoja për hapësirë shtesë për mësim.

Vë*shtirësi kemi mjaft edhe në aspektin hapësinor ne si shkollë. Tash kemi 492, që do të thotë te ne rritet numri i nxënësve, fatmirësisht, kështu që krijohet nevoja për hapësira tjera. Ne edhe ashtu nuk kemi pas hapësira por detyrohemi që të kombinojmë numrin e nxënësve në klasa. Do të fillojmë njëherë ashtu, por do të shohim pastaj të organizohemi, gjatë punës do të shohim se ku i kemi mungesat, ku i kemi vështirësitë – deklaroi Hysni Mustafa, drejtor i Sh.f “Sami Frashëri” Gllumovë – Saraj.

Gjithashtu, Mustafa tha se mësimdhënësit që do të jenë pjesë e konceptit të ri mësimor kanë kaluar të gjitha trajnimet e duhura. Por, siç shtoi ai, mbetet të shihet nëse në shkollat me kushte mesatare koncepti i ri mësimor do të gjejë zbatimin.

Baby Boo