Shkaku i Kosovës, Serbisë i pezullohet kampionati botëror


Kërcënimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për shtetet që nuk pranojnë sportistët e Kosovës me të drejta të barabarta ka nisur efektin e saj përcjell Fakte.

IOC javën e kaluar u shkroi letër të gjitha federatave ndërkombëtare që të mos u japin organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare shteteve që diskriminojnë sportistët, në këtë rast sportistët e Kosovës për shkak të politikës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Federatës Botërore të Paragllajdizmit (FAI), të cilët sot kanë pezulluar kampionatin botëror, të paraparë për t’u mbajtur në muajin maj të vitit të ardhshëm në Serbi.

“Për shkak të situatës politike mes Serbisë dhe Kosovës dhe politikës së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në lidhje me pjesëmarrjen e delegacioneve sportive dhe atletëve në ngjarjet sportive ndërkombëtare (parimi i autonomisë dhe mosdriskriminimit), Kampionati i 10-të Botëror i Paragllajdizmit në Vrsaç të Serbisë (15-25 maj 2019) është pezulluar”, thuhet në njoftimin e presidentit të FAI-it, Stephane Malbos, të publikuar në uebfaqen zyrtare të FAI-it, “fai.org”.

Kryetari i Federatës së Paragllajdizmit të Kosovës, Shkëlqim Krasniqi, zbulon tentimet e FAI-t, që ekipi i Kosovës të pranojë kushtin e garimit pa flamur.

“Kam biseduar dje (e martë) në telefon me drejtuesit e FAI-t dhe kanë tentuar që të na bindin të marrim pjesë pa flamur, ose edhe të mos marrim pjesë fare. I kemi thënë që nëse nuk marrim pjesë të barabartë me shtetet tjera, do t’ju padisim për diskriminim dhe në fund erdhi lajmi për anulimin e botërorit”, ka thënë Krasniqi për ueb-faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës, “noc-kosovo.org”.

Baby Boo