SHGM: MPB dhe PP të gjejnë menjëherë personin që kërcënoi gazetarin Mishko Ivanov


Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënon ashpër kërcënimet ndaj gazetarit Mishko Ivanov, të dërguara në rrjetin social Facebook. Mbrëmë, menjëherë pas intervistave me liderët e OBRM-PDUKM-së dhe LSDM-së, Hristijan Mickoski dhe Zoran Zaev, personi i nënshkruar si Boban Petrovski i dërgoi një mesazh plot me gjuhë të urrejtjes, fyerjes dhe kërcënimesh gazetarit të TV24. Pasi Ivanov postoi mesazhin në profilin e tij në Facebook, gazetaret Aneta Dodevska dhe Natasha Stojanovska gjithashtu reaguan se në kohë të fundit edhe ato kanë qenë shënjestra e sulmeve, d.m.th. mesazhe me përmbajtje të ngjashme u janë dërguar edhe atyre.

I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që menjëherë të fillojë një hetim për këto kërcënime kundër kolegëve tanë dhe të paraqesë këtë rast në Prokurorinë Themelore Publike për të ndjekur penalisht autorin e kërcënimeve. Kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes nuk janë pjesë e lirisë së shprehjes dhe ato mund të sjellin pasoja serioze dhe vetë-censurim për gazetarët. Vetëm përmes sanksionimit të rreptë të kërcënimeve të tilla nga institucionet do të jetë e mundshme të parandalohen sulmet dhe kërcënimet kundër gazetarëve në të ardhmen. Shteti ka për detyrë të sigurojë një sistem efektiv të parandalimit dhe ndëshkimit të dhunës ndaj gazetarëve, pasi ky është një parakusht themelor për përmirësimin e situatës me lirinë e shprehjes. Prandaj, insistojmë që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të gjejnë mënyrë për të hetuar në mënyrë më efikase kërcënimet e tilla.

Kujtojmë publikun se nëse duam të kemi një demokraci funksionale atëherë duhet të mbajmë nivel të lartë të lirisë së fjalës dhe shprehjes, dhe një gjë e tillë nuk mund të arrihet nëse gazetarët dhe punonjësit mediatik punojnë nën presion dhe kërcënime të vazhdueshme, sepse kjo do të kontribuojë vetëm për të krijuar një atmosferë frike dhe vetë-censurimi.

Këto kërcënime që paraqesin sulm mbi lirinë e shtypit dhe lirinë e mediave do t’u raportohen të gjitha organizatave vendase dhe ndërkombëtare që punojnë në mbrojtjen e lirisë së shprehjes.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Baby Boo