Shfrytëzonte të miturën për prostitucion, detaje tronditëse pas arrestimit të 42-vjeçarit kirurg dhe besimtar


Një 42-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë, pasi dyshohet se shfrytëzonte një vajzë të mitur për prostitucion.

Report TV mëson se mjeku kirurg Dervish Hasi, 42 vjeç është arrestuar nga Komisariati nr. 1 në Tiranë pasi akuzohet se prej dy vitesh shfrytëzonte një vajzë të mitur rreth 16 vjeçe për prostitucion.

Hasi njihet si besimtar mysliman kishte edhe 3 gra të tjera në shtëpi dhe të miturën e prezantonte si bashkëshorten e tij të katërt.

E mitura shkonte në shtëpinë e Hasit në intervale të shkurtra kohore, 3 deri në 4 ditë, ndërsa dyshohet se Hasi ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Do të jetë akt-ekspertiza që do të konfirmojë këtë akt të rëndë mëson Report Tv.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të depozituar në komisariat, se një e mitur shfrytëzohej nga një shtetas, për prostitucion, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin ligjor të rastit në fjalë dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin Dervish Hasi, 42 vjeç, banues në Tiranë”, njofton policia.

Hasi është një person i njohur për policinë. Me profesion mjek, ai ka qenë edhe i hetuar nga SPAK. Prokuroria e Posaçme kishte dyshime se mjeku ishte i përfshirë në grupin që furnizonte me tritol dhe armë snajper kriminelë brenda dhe jashtë vendit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.