Shërbyesit civilë kërcënojnë me grevë të përgjithshme nëse Qeveria s’reflekton


Rreth 23 mijë shërbyes civilë pritet që edhe nesër të hyjnë në grevë një orëshe duke filluar nga ora 10:00 deri në 11:00.

Këta punëtorë të administratës po kërkojnë rritjen e koeficientet përmes Ligjit për Paga, si dhe njohjen e përvojës së punës të nëpunësve civilë gjatë viteve 1990-99.

Ata paralajmërojnë se nëse nuk reflektojnë institucionet përgjegjëse, do të hyjnë edhe në grevë të përgjithshme.

Përfaqësuesi i Këshillit Grevist të shërbyesve civilë, Ali Sefaj në një intervistë për KosovaPress tha se po kërkojnë që përmes këtij ligji të trajtohen barabartë me punëtorët e sektorëve të tjerë. Ai thotë se nuk duan ta paralizojnë shtetin, por kërkojnë reflektim ndaj kërkesave të tyre.

“Qëllimi i grevës është masë e vogël paralajmëruese e karakterit sindikal që institucionet qendrore t’i përmbushin minimalisht dy kërkesat të cilat i kanë shërbyesit civilë. Shërbyesit civilë kërkojnë nivelizim të pagave me sektorët tjerë, kemi një rritje të premtuar mirëpo nuk e kemi të shkruar dhe të dhënë si ofertë dhe kemi stazhin e shërbyesve civilë të cilët kanë punuar në vitet e 90-ta që politikisht janë larguar nga marrëdhënia e punës, e sot nuk e gëzojnë të drejtën e pensionit për faktin se iu mungojnë dy tre, pesë muaj, apo një vit përvojë pune. Ne kemi kërkuar që koeficienti të rritet dhe të jetë i barasvlefshëm me institucionet tjera dhe me sektorët tjerë. Ne i mirëkuptojmë mundësitë buxhetore që ka shteti, mirëpo kërkojmë reflektim, ne nuk dëshirojmë ta paralizojmë apo ta bllokojmë shtetin, mirëpo ne mendojmë që ushtarët e shtetit janë administrata publike dhe shteti duhet të reflektoj karshi kërkesave të tyre me mundësitë buxhetore “, ka thënë Sefaj.

Sipas tij, pa e marrë ofertën e shkruar nga Qeveria, ofertë në të cilën përfshihen kërkesat e tyre ata nuk do të zmbrapsen nga greva e paralajmëruar.

Sefaj për KosovaPress ka deklaruar se kërkesat e nëpunësve civilë i kanë adresuar te Komisioni për Administratë Publike, në Ministrinë e Administratës Publike dhe në Qeverinë e Kosovës.

“Kemi pasur konfirmime pozitive nga grupet e caktuara, mirëpo nuk kemi pasur të shkruara, pa dokument, të nënshkruar zyrtar këto mund të jenë qëllim mira ose e cilido karakteri tjetër, mirëpo nuk është dëshmi e mjaftueshme që sindikata ta pezullojë grevën. Nëse Qeveria sonte del me dokumentin i ofrohet sindikatave të nënshkruhet marrëveshja mbi ofertën mbi të cilën e kanë propozuar. Është rritje e koeficienteve siç e kanë paraparë edhe për sektorët tjerë, nëse ajo do të bëhet ne do reflektojmë dhe do ta pezullojmë grevën, në rast se nuk kemi marrëveshje greva do të vazhdojë nesër”, u shpreh bashkëkryesuesi i Këshillit Grevist të punëtorëve të administratës.

Duke folur për kushtet me të cilat punojnë shërbyesit civilë, Sefaj u shpreh se kjo kategori punën e kryejnë në kushte të vështira, dhe nuk trajtohen në mënyrë të dinjitetshme.

“Shërbyesit civilë në Kosovë punojnë në kushte shumë të vështira. Së pari vendi i punës ku punojnë në shumicën e institucioneve nuk i plotëson kushtet minimale, ajri është i ndotur, ambientet janë të papërshtatshme, mjetet e punës, rrezikshmëria, mos pagesa e kualifikimeve, udhëtimi, shujta që duhet t’iu takonte në bazë të marrëveshjes kolektive dhe shumëçka nëse t’i merr dhe i sheh shërbyesit civil janë kategoria më e shtypur dhe jo e trajtuar në nivelin e dinjitetshëm që ajo meriton”, u shpreh Sefaj.

Me kërkesa të njëjta grevë një orëshe sot kanë mbajtur shërbyesit civilë të Komunës së Prishtinës.

Për ecurinë e kësaj greve foli edhe Sefaj i cili ofroi mbështetje për nëpunësit e kryeqytetit.

“Grevës i janë përgjigjur masivisht shumica e punëtorëve. Komuna e Prishtinës ka një specifik të veçantë, mos të harrojmë se është kryeqyteti, shërbimet në kryeqytet i marrin shumica e qytetarëve të Kosovës sepse shumica punojnë në institucione qendrore, këta janë të ngarkuar. Kuvendi duhet ta gjejë mënyrën çoftë nëpërmjet këtij ligji ose ta draftoj ligjin për komunën e Prishtinës dhe t’iu njoh paga më të larta apo benificionet shtesë, sepse volumi i punëve në komunën e Prishtinës është shumë i lartë“, ka thënë ai.

Grevës së nesërme njëorëshe të shërbyesve civilë i është bashkëngjitur edhe Sindikata e Pavarur e Pylltarisë, Bujqësisë, Industrisë se Drurit, Mjedisit dhe Gjuetisë së Kosovës ( SPPBIDMGJK).

Kujtojmë se sektori i arsimit ka hyrë sot në javën e tretë të grevës, mësimdhënësit po kërkojnë rritje të koeficientit. Ndërkohe Qeveria ka paralajmëruar se ligji për pagat do të votohet në të njëjtën ditë me buxhetin, që si datë kur mund të ndodhë ky votim është përmendur 31 janari.

Baby Boo