Shënohet rasti i parë i mpiksjes së gjakut nga vaksina e “AstraZeneca” në Maqedoninë e Veriut


Maqedonia e Veriut ka regjistruar rastin e parë të mpiksjes së gjakut si pasojë e vaksinës “AstraZeneca”.
Bëhet fjalë për një 28-vjeçare, e cila para një jave është vaksinuar në Serbi.
“Tek ne deri më tani është regjistruar një rast i një vajze 28 vjeçare që i është shkaktuar tromboza pasi e ka marrë vaksinën e AstraZeneca në Serbi, dozën e parë. Simptomat i janë paraqitur rreth një javë pasi e ka marrë vaksinën. Ajo për momentin gjendet në mjekim në spital”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Autoritetet shëndetësore në vend kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksine për personat nën moshën 60-vjeçare, duke ndjekur kështu shembullin e Kanadasë dhe Gjermanisë.
“Ne kemi vendosur që të jemi të kujdesshëm prandaj edhe do të presim konfirmim përfundimtar se kjo vaksinë është e sigurt. Do të takohem edhe me Agjencinë për Sigurinë e Barnave me të cilët duam të shkëmbejmë informacione dhe ti drejtohemi me pyetje Agjencisë Evropiane për Ilaçe dhe Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë. Efektet anësore janë mpiksja e gjakut, por kjo ka ndodhur në numër më të vogël të njerëzve”, shtoi ministri.

Ndërkohë pikërisht me vaksinën AstraZeneca, të ardhur në 24 mijë doza nga sistemi Covax, ka filluar sot vaksinimi i popullsisë mbi 77 vjeçe.
Të intervistuarit thonë për Euronews Albania se vaksinimi ka shkuar mirë dhe nuk presin efekte serioze anësore.
“Ndjehem shumë mirë. Nuk kam asnjë reaksion apo diçka të ngjashme. Kam 79 vjet. Ka një rend të mirë, gjithçka është e organizuar siç duhet… Tani duhet të vetëm të mbrojmë veten. Nëse kam ndonjë reagim më thanë të marr ilaçe për qetësim dhe për temperaturë, asgjë tjetër. Pas tre muajve do ta marr dozën tjetër”, tha një qytetare.

“Ndjehem shumë mirë. Për momentin të paktën jam mirë. Më pyetën a kam qenë i sëmurë diçka më herët. A kam marrë vaksinë dhe dhashë përgjigje për të gjitha. Më dhanë udhëzime si të mbrohem edhe më tej”, theksoi një tjetër.
Njëri nga qytetarët thotë se mjekët i kanë kërkuar të tregojë kujdes të shtuar dhe të vijojë mbajtjen e maskës.
“Jam shumë mirë. Më thanë që duhet të kujdesem për veten. Nuk duhet të pimë alkool. Duhet të mbajmë maskë. Të mos lëvizim shumë”, theksoi një tjetër.

Vaksinimi i popullsisë mbi 77 vjeç po bëhet në gjithë territorin e vendit. Maqedonia e Veriut pret që javët në vazhdim të marrë edhe dërgesa më të mëdha vaksinash nga prodhuesit rusë dhe kinezë.
Me ato sasi vaksinash do të vijojë vaksinimi masiv i popullsisë dhe grupeve të tjera prioritare.

Baby Boo