Shekerinska takon delegacionin e FSK-së


Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, së bashku me delegacionin e Ministrisë dhe Armatës të Republikës së Maqedonisë sot kishte mbledhje pune me delegacionin e Ministrisë së Forcave të Sigurisë së Kosovës, të udhëhequr nga ministri Rustem Berisha, i cili është për vizitë pune të shkurtër në Republikën e Maqedonisë.

Ministrat Shekerinska dhe Berisha, siç informojnë nga Ministria e Mbrojtjes, në takim kanë shprehur kënaqësi nga marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale si dhe bashkëpunimi i suksesshëm mbrojtës mes të dy vendeve.

Shekerinska, thuhet në kumtesë, e ka njoftuar homologun kosovar me obligimet e Maqedonisë në fazën aktuale të inkuadrimit drejt NATO-s – negociatat inkuadruese dhe se Maqedonia është e gatshme t’i ndajë përvojat e saj me vendet e Ballkanit Perëndimor qëllimi i së cilës është integrimi në NATO.

Në lidhje me bashkëpunimin, ministrja Shekerinska ka potencuar se kurora e saj është shkollimi i kadetëve të Kosovës në Akademinë Ushtarake në Shkup.

Ministri kosovar u falënderua për bashkëpunimin me Maqedoninë në mbrojtje dhe u mundua për përforcimin e tij. Ai e përshëndeti përkushtimin e Maqedonisë në integrimin në NATO dhe BE dhe tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të ketë ndikim pozitiv në sigurinë e rajonit.

Njëherit ai ka informuar për planet dhe sfidat me të cilat për momentin përballet Kosova në kuptimin politik dhe të sigurisë.

Ministrja Shekerinska në takim ka potencuar se Maqedonia do ta pasurojë bashkëpunimin me Kosovën dhe do të vazhdojë ta përkrahë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Ajo u pajtua se bashkëpunimi bilateral mes vendeve të rajonit është mënyrë të përparohet siguria dhe stabiliteti i rajonit dhe shfaqi shpresë se sfidat rajonale, negociatat dhe çështjet e hapura, do të mbyllen në mënyrën e cila do të jetë në interes të përparimit të tërë rajonit.

Maqedonia dhe Kosova në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë bashkëpunojnë nga viti 2010 kur ishte nënshkruar edhe Memorandumi për bashkëpunim, i cili përfshin fusha si politika mbrojtëse dhe e sigurisë, trajnimi mjekësor, arsimi ushtarak, stërvitja profesionale.

Baby Boo