Shekerinska: Këto janë dobitë më të mëdha për RMV-në nga anëtarësimi në NATO


Në prag të votimit të Spanjës për Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në një intervistë për Portalb, flet për përfitimet nga anëtarësimi në aleancën më të madhe politike-ushtarake në botë.
Sipas Shekerinskës, përfitimi kryesor është ndikimi që RMV-ja merr gjatë vendimmarrjes, pra vendet serioze dhe me shumë ndikim do të na shohin si dikush që është në tryezë, që merr vendime. Siç thotë ministrja, me lehtë do të na shohin si partner të ardhshëm në kontekstin Evropian. Anëtarësimi në NATO na jep edhe një BE shtytje të fortë në shpinë.

Intervistoi: Elida Zylbeari

Cilat janë njoftimet nga Spanja, kur pritet të nënshkruajnë Protokollin për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO?

Njoftimet nga Spanja janë se i gjithë procesi, i cili në atë shtet zhvillohet disa herë do të përfundojë në mars. Por ajo që ka rëndësi është që ne defakto funksionojmë si një shtet anëtar. Por prapë, të gjithë duam që procesi të finalizohet zyrtarisht dhe kjo është arsyeja për të cilën thamë se është me të vërtetë çështje ditësh para anëtarësimit tonë të plotë. Presim që e gjithë procedura e ratifikimit të përfundojë sa më shpejt që menjëherë pas depozitimit nga ata dhe nga ne, në mënyrë që së shpejti flamuri ynë të gjendet zyrtarisht midis tridhjetë flamujve të anëtarëve të aleancës më të fuqishme ushtarake-politike në botë.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari
A do të ketë një nënshkrim zyrtar pas kësaj?

Nuk ka më nënshkrime. Nënshkrimi u bë vitin e kaluar. Të gjitha shtetet anëtare e kanë nënshkruar Protokollin për aderimin tonë. Ne e kemi ratifikuar Traktatin e Atlantikut Verior, atë traktat menjëherë pas ratifikimit spanjoll, ne do ta dorëzojmë dhe do ta depozitojmë në Uashington. Që nga ai moment ne jemi praktikisht anëtar dhe kjo do të shënohet duke ngritur flamurin tonë përpara selisë së NATO-s në Bruksel dhe para të gjitha komandave ushtarake dhe selisë së Aleancës. Do të jetë një prezantim simbolik i fillimit të anëtarësimit tonë.

Ju thatë që tashmë jemi duke funksionuar si vend anëtar i NATO-s, çfarë do të thotë kjo në praktikë?

Kjo do të thotë që në çdo takim të Aleancës së Atlantikut Verior jemi të pranishëm në tryezë, kemi të drejtë të flasim dhe i gëzojmë plotësisht të njëjtat të drejta si të gjithë anëtarët E vetmja gjë që do të ndryshojë në atë pjesë pas anëtarësimit është vendi ynë atje. Nuk do të ulemi më afër SHBA-së, por do të ulemi në mes të Holandës dhe Norvegjisë. Është e vërtetë që nga momenti i anëtarësimit, ne gjithashtu e fitojmë të drejtën zyrtare të votimit, por zakonisht shumica e gjërave në NATO harmonizohen para votimit.

Për çfarë votohet zakonisht në NATO?

Për secilin prej vendimeve: fillimi i ndonjë misioni të caktuar, formim të selive të reja, të komandave të reja, planet e mbrojtjes, për shembull planet e mbrojtjes në veriun e NATO-s, kanë kaluar nëpër një procedurë që nuk ishte me heshtje, por me harmonizim. Kishte disa dallime dhe derisa nuk u sqaruan ato, planet e mbrojtjes nuk u miratuan. Ne do të kemi të njëjtën të drejtë të mbështesim apo edhe të bllokojmë ndonjë vendim.

Kush është i ngarkuar në Maqedoninë e Veriut të vendosë për vendimet në NATO?

Në parim, misioni ynë do të njoftojë pikëpamjet tona, të cilat për çështje të caktuara ne do të duhet të marrim në nivel të Qeverisë, ndërsa për tema të caktuara Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes do të harmonizojnë pozicione. Me fillimin e anëtarësimit tonë ne do ta rregullojmë plotësisht këtë çështje si në aspektin e misionit ashtu edhe në aspektin e koordinimit të brendshëm të pikëpamjeve në vend. Do të jetë një ushtrim dhe përvojë e mirë për koordinimin e vendimeve të ardhshme të BE-së pasi do të duhet të jeni të shpejtë. Nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e ndonjë vendimi, por edhe për përgjigjen me kohë. Nëse nuk e bëni shpejt këtë, NATO-ja do të konsiderojë që jeni dakord për ndonjë vendim të caktuar.

Cilat janë sfidat e ardhshme që na presin si anëtar? A do të bëhet disi më vështirë për Maqedoninë e Veriut?

Logjika e anëtarësimit tonë në NATO është të jetë më mirë për ne. Kjo do të thotë se ne nuk do të dëgjojmë jehonën e vendimeve të NATO-s për të zbuluar se në cilin drejtim po shkon bota perëndimore. Do të jemi në të njëjtën tryezë dhe do të shikojmë se si zhvillohen situata të caktuara dhe do të jemi më të përgatitur për t’u përballur me to. Situata në Lindjen e Mesme ndikon edhe te ne. Nuk mund të izolohemi dhe si pjesë e krahut Juglindor të NATO-s ne kemi qenë edhe pjesë e proceseve që e vënë në dyshim stabilitetin e Evropës. Është shumë më mirë të përgatitemi në kohë për këto sfida.

NATO ka prani serioze në rajonin tonë përmes misionit të KFOR-it. Pse të mësojmë indirekt për planet e NATO-s për diçka që ndodhë rreth 50 kilometra afër nesh? Ne jemi të interesuar që të garantohet siguria e kufijve tanë dhe të fqinjëve tanë dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi që të mundemi për të theksuar rëndësinë e këtij misioni. Shpresoj që në fund të vitit, përveç mbështetjes logjistike që ne ofrojmë, ne gjithashtu do të jemi në gjendje për të dërguar njerëz në KFOR që me përvojën dhe njohuritë tona të japim kontribut konkret për stabilitetin e rajonit tonë.

Por përfitimi kryesor është ndikimi që merrni gjatë vendimmarrjes. Vende serioze dhe me shumë ndikim ju shohin si dikush që është në tryezë, që merr vendime. Mund të krijoni dhe zhvilloni imazhin e një vendi në të cilin ata mund të mbështeten, që është përgjegjës, që e mban fjalën për ato që janë thënë dhe që kontribuon – kjo është në fakt edhe përshtypja që e kemi krijuar gjatë këtyre 2 viteve. Prandaj, me lehtë do të na shohin si partner të ardhshëm në kontekstin Evropian. Anëtarësimi në NATO na jep edhe një BE shtytje të fortë në shpinë.

A do të rritet numri i misioneve dhe i njerëzve në misione?

Anëtarësimi në NATO nuk përcakton detyrime më të larta, por ne kemi siguruar fonde në buxhetin tonë edhe për të rritur pjesëmarrjen tonë në operacionet ndërkombëtare. Pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare është shansi më i mirë për të ngritur kapacitete më të mëdha dhe për të mbajtur në gatishmëri Armatën tonë. Misionet janë gjithashtu shans për anëtarët e Armatës për të përparuar si profesionalisht ashtu edhe financiarisht. Në Armatë ka pasur gjithmonë interes të madh për të marrë pjesë në operacione jashtë shtetit, veçanërisht nga viti i kaluar kur i rritëm kompensimet për pjesëmarrje për 500 deri në 700 euro shtesë për ushtarët dhe nënoficerët.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska
A mund të na thoni dy ose tre nga përfitimet më të mëdha të Ligjit për mbrojtje që u miratua para se të shpërndahej Kuvendi?

Do të përmend dy përfitime kryesore. I pari është që i kemi definuar të gjitha hapat se si Republika e Maqedonisë së Veriut mund të aktivizojë mekanizmin e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Do të thotë pasi që jemi anëtar na jepet mundësia që të gjithë të na ndihmojnë në rast të ndonjë krize. Në Ligj përcaktuam saktësisht se kush do të marrë vendimin, çfarë propozon Qeveria, çfarë vendimi do të marrë Kuvendi. Përfitimi i dytë më i madh është se përfundimisht e përcaktuam sistemin për dërgim në misione, operacione dhe komandat e NATO-s të personelit ushtarak, por edhe të civilëve, zyrtarë të Ministrisë së mbrojtjes. Ato janë të nevojshme në çdo mision, ndërsa deri më tani ata nuk kanë qenë në gjendje ta rregullojnë statusin e tyre.

Në vitin 2007, Maqedonia kishte shpenzuar 2.17 përqind të BPV-së për mbrojtje. Kjo do të thotë që nuk është ajo shumë që del si obligim nga anëtarësimi ynë në NATO, por nga nevoja për të pasur një Armatë e cila është e pajisur, efikase dhe e vlerësuar. Fatkeqësisht, gjatë dhjetë viteve të kaluara, politika e margjinalizimit të plotë të Armatës në dobi të zhvillimit të strukturave policore ka qenë e dukshme. Kjo çoi në një buxhet prej 0.9 përqind të BPV-së.

Për dallim nga ajo periudhë, ne e shohim buxhetimin e mbrojtjes si investim në njerëzit dhe institucionet tona, jo vetëm një angazhim nga NATO. Kështu që në vitin 2017 i kemi përcaktuar planet tona buxhetore, çdo vit buxheti do të rritet me 0.2 pikë përqindje dhe tani jemi në 1.4 përqind të BPV-së që në numra absolut është dyfishim i buxhetit me të cilin kemi filluar. Kjo na ka dhënë kushte për të rritur pagat dhe për të përmirësuar kushtet në mbrojtje. Këto nuk janë para që ne i dërgojmë në NATO, por i investojmë në kapacitet ftësitë tona. Qëllimi ynë është të arrijmë në 2 përqind të BPV-së deri në vitin 2024.

A do të rriten pagat?

Pagat e të gjithë personelit ushtarak në ushtri tashmë janë rritur 16 përqind, ndërsa nga muaji mars, me pagesën e qirave do të rritet edhe më shumë. Për shembull, një ushtar profesionist që ka marrë pagë 20,000 denarë në të kaluarën, nga marsi do të marrë mbi 30,000 denarë, plus një rritje prej 50 përqind të qirasë! Në pjesën e civilëve në Armatë të cilët kishin rroga turpshëm të ulëta për shumë vite, me Ligjin për shërbimin, rritja e pagave është mbi 25 përqind.

A ka Ushtria tani kushte më të mira, kur jemi një hap afër NATO-s?

Mbaj mend që herën e parë kur hyra në Ministri, të gjithë që hynë në zyrën time thanë se kishte dy probleme dhe të paktën ato t’i zgjidhnim: uniformat dhe çizmet. Sot, sa herë që mburrem se i kemi zgjidhur këto probleme, ndjehem e parehatshme duke e përmendur këtë, pasi ky duhet të jetë një sistem që funksionon vetvetiu. Por që nuk ka funksionuar për 11 vjet. Dhe tani në 2.5 vjet ne kemi zgjidhur problemet që janë “grumbulluar” për 11 vjet. Përveç këtyre, e kemi zgjidhur problemin e gomave dhe baterive dhe për herë të parë kemi filluar të investojmë në pjesë që janë të padukshme, siç janë pajisjet sportive, sepse ne kërkojmë që trupat të jenë të aftë fizikisht dhe i inspektojnë ato çdo vit. Pajisjet e reja sportive kanë filluar të vijnë dhe këtë javë po shpërndahen sipas planit. Deri në fund të vitit pres që të gjithë ushtarët të kenë pajisje të reja sportive. Kemi blerë edhe pajisje ushtarake. Kontrata e parë me Shtetet e Bashkuara për 33 automjete të blinduara ka përfunduar vitin e kaluar dhe ne vazhdojmë të rrisim numrat çdo vit. Në pjesën e mbështetjes së Armatës për qytetarët, pas 16 vjetësh ishim në gjendje të blejmë makineri inxhinierike që janë mjetet e tyre kryesore për të ndihmuar. Tani përqendrimi është në pajisjen e këmbësorisë dhe pajisjen e lidhjeve të sigurta të komunikimit dhe informacionit dhe elementeve të mbrojtjes kibernetike. Pas disa vitesh do të modernizohen edhe njësitë e helikopterëve./Portalb

Baby Boo