Shekerinska: Kemi përkrahjen e vendeve të NATO-s, t’i përfundojmë obligimet e marrëveshjes me Greqinë


Në prag të Samitit të NATO-s me 11 dhe 12 korrik kur Maqedonia pritet ta marrë zyrtarisht ftesën për t’u bërë anëtare e paktit veriatlantik, vendi ynë ka përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare të NATO-s, deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, në brifingun me gazetarë.
Fakti se vend i plotëson të gjitha kushtet, nuk pritet vërejtje nga shtetet anëtare, siguroi Sheqerinska, por shtoi se vendi duhet t’i përfundojë  obligimet që dalin nga marrëveshja me Greqinë.
“Maqedonia është para fillimit të ri. Ta realizojmë shansin historik, atë që e lëshuam në vitin 2008. Do të kemi ftesë për në  NATO në samit dhe në kohë relativisht të shkurtër duhet t’i plotësojmë obligimet  nga marrëveshja me Greqinë që të jemi anëtare e 30 e NATO-s”,– bëri të ditur Shekerinska.
Koordinatori nacional për në NATO, Stevo Pendarovski, njoftoi se ftesa do të bëhet të mërkurën paradite, sipas një formulari të njëjtë si për Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Nga ajo që kam parë në draft deklaratën e samitit thuhet se NATO-ja e fton IRJM–në t’i fillojë bisedimet paraqasëse për  anëtarësim në NATO. Pastaj NATO i dërgon ftesë zyrtare qeverisë, ku kjo e fundit duhet me shkrim ta informojë paktin se e pranon ftesën”,– deklaroi Pendarovski.
Pasi të marrë ftesë, Maqedonia do të mund të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e NATO-s, por pa të drejtë vote, deri sa ta gëzojë statusin e vendit anëtar të plotfuqishëm, kur gjithsej 29 vendet anëtare të NATO-s ta ratifikojnë marrëveshjen për anëtarësimin e Maqedonisë në aleancën veriatlantike.
Baby Boo