Shefi i hetimeve në Pejë mori dhuratë një lokal nga një biznesmen, policia hesht


Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, sikurse edhe ajo Rajonale në Pejë, po heshtin për skandalin e shefit të hetimeve në Pejë që pranoi dhuratë një lokal në Klinë nga një biznesmen pejan. Gazeta Express ka raportuar javën e shkuar për këtë rast, që ka nxitur hetim nga Inspektorati Policor i Kosovës. Vetë kapiten Shpend Berisha i quan tendencioze këto raportime.

Policia e Kosovës, edhe një javë pas raportimit të Gazetës Express, vazhdon të mos thotë asnjë fjalë për skandalin e shefit të hetimeve të Policisë në Pejë, Shpend Berisha, që pranoi dhuratë një lokal afarist në Klinë, nga një pronar i një firme patundshmërie.

Berisha, të mërkurën, i ka quajtur tendencioze raportimet për të. I njëjti, përmes telefonit, ka kërkuar takim në zyrën e tij për të sqaruar rastin.

“Ato janë tendencioze, çka ju po shkruani”, tha ai shkurt përmes telefonit, duke kërkuar takim për javën e ardhshme për të dhënë sqarimet e tij.

Shpend Berisha një javë rresht ishte telefonuar nga ekipi i gazetës, para publikimit të artikullit në lidhje me të, por numri i tij i telefonit ka qenë i paqasshëm deri më sot.

Gazeta Express, të enjten e shkuar, ka raportuar se si shefit të hetimeve në Policinë e Pejës, Shpend Berisha, i janë dhuruar disa metra katrorë lokal afarist në një objekt në Klinë, nga biznesmeni pejan Agron Kelmendi.

Vetëm pak muaj më parë, Shpend Berisha është graduar në Policinë e Kosovës me gradën kapiten.

Pa dhuratë të njëjtë s’ka mbetur as vëllai i shefit të hetimeve, Vesel Berisha, nga i njëjti afarist.

Dhuratat u dhanë për gjoja kontributin e tyre në UÇK, ndaj me këtë rast përfitoi edhe politikani Fuad Ramiqi.

Për dhuratat në fjalë nuk kishte hezituar të tregojë publikisht Vesel Berisha, që përmes Facebook-ut, më 5 korrik të këtij viti, kishte shpërndarë njoftimin dhe fotografitë.

Madje, aty vëllai, po ashtu biznesmen, i shefit të hetimeve në Pejë, e lartësonte Agron Kelmendin duke e quajtur “humanist të madh” për dhuratat që ua bëri atij, vëllait të tij dhe dy shokëve të tjerë.

Por, vetëm pak ditë më pas njoftimi dhe fotografitë ishin zhdukur nga Facebook-u.

Nga ana tjetër, Policia në Pejë e edhe Drejtoria e Përgjithshme në Prishtinë, vazhdojnë të heshtin për rastin. Gazeta Express, qysh para publikimit të artikullit javën e shkuar, e edhe pas, disa herë ka drejtuar pyetje me e-mail në të dy drejtoritë, por s’ka marrë përgjigje.

E në një komunikim përmes telefonit drejtori i Policisë rajonale të Pejës, Shaban Shala, të enjten e kaluar, kishte refuzuar të flasë për rastin, me arsyetimin se ndodhet për pushime jashtë vendit.

“Jam në pushim dhe jam jashtë vendit”, kishte thënë Shala përmes telefonit, pasi i është treguar arsyeja se përse është telefonuar. Ai, tutje, ka thënë që për këtë çështje të kontaktohet zëdhënësi Xhevat Ibra.

Edhe ky doli të jetë në pushim.

Për rastin deri më tash ka folur IPK-ja, e cila ka konfirmuar se ka nisur një hetim për dhuratën që pranoi hetuesi i lartë policor.

“Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Hetimeve, ju konfirmon se këtë çështje është duke e trajtuar nëpërmjet rrugëve operative hetimore, mirëpo për shkak të integritetit të hetimeve tani për tani nuk mund të japim detaje tjera lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e IPK-së, të datës 19 korrik 2018.

Pak orë pas raportimit të Gazetës Express, përmes Facebook-ut kishte reaguar edhe Vesel Berisha, vëllai i shefit të hetimeve, që vetë javë më parë kishte shpërndarë me miqtë e tij lajmin për dhuratat në të njëjtin rrejt social.

Megjithëkëtë, ai i ka quajtur shpifje raportimin në media të këtij rasti, duke paralajmëruar “pendesë” për gazetarët që botuan artikullin, në këtë rast Gazetën Express.

“Ju gazetar ose gazetare qe sollet ket lajm te pa vertet qe shokuat opinjonin ton Kosovarë me ket lajm trondites te pa vertet qe shpifni dhe shkruani gjera sipas vullnetit dhe deshires suaj pa u konsulltuar dhe pa pytur askend,besoj se do te pendoheni”, thotë Berisha në reagimin e tij të bërë nga Durrësi, ku bën të ditur se po qëndron për pushime.

I njëjti ka dhënë një arsyetim qesharak. Thotë se gabimisht ka etiketuar vëllanë e tij dhe veten në postimin e datës 4 korrik 2018, por harron se bashkë me postimin kishte shpërndarë edhe fotografi në të cilën shihen vëllezërit Berisha dhe përfituesit tjerë të dhuratave të biznesmenit Agron Kelmendi.

Po ashtu, postimi kishte qëndruar për disa ditë i publikuar në profilin e tij, deri kur Gazeta Express ka nisur të trajtojë rastin në fjalë.

“Nese une personalisht shkruaj ne faqen time diqka dhe gaboj me emer dhe mbiemer Shpend Berisha ne faqen time te FB, ju kurrsesi nuk mund te gaboni sepse jepni përgjegjësi”, shkruan ai në reagim, duke vazhduar tutje me thurjen e lavdeve për të vëllanë hetues policor.

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi, zyrtarëve publikë në Kosovë nuk u lejohet të pranojnë dhurata me vlerë të cilat mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare. Njësoj as familjarët e tyre të ngushtë.

Sipas ligjit, dhuratat e rastit të dhëna në momente të caktuara nuk duhet të kalojnë shumën prej pesëdhjetë (50) eurosh, ose vlera e përgjithshme e tyre nuk duhet të kalojë vlerën prej njëqind (100) eurosh në vit, nëse janë dhënë nga i njëjti person.

Ligji, po ashtu, thotë se personi zyrtar nuk mund të pranojë dhurata të rastit, vlera e përgjithshme e të cilave kalon vlerën pesëqind (500) euro brenda një viti, sikurse i njëjti nuk mund të pranojë as dhurata monetare.

Biznesmeni nga Peja, Agron Kelmendi, ka pasur disa raste të kontesteve pronësore që janë trajtuar në Gjykatën e Pejës.

Po ashtu, dega e të njëjtës gjykatë themelore, në Deçan, në vitin 2015 e kishte gjykuar Kelmendin dhe bashkëpunëtorin e tij, Ramiz Muriqin, për një rast “keqpërdorim të besimit”. Ata dyshoheshin se së bashku kishin keqpërdorur autorizimin e dhënë nga një serbe Sllobodanka Radunoviq për shitjen e një prone të saj në Kosovë, e në fakt nuk i ishte kompensuar fare.

Pronari i një kompanie të njohur të patundshmërisë në këtë rajon, ishte edhe dëshmitar në gjykimin e ish-gjyqtares nga Deçani, Safete Tolaj, dhe djalit të saj, Fisnik Tolaj. /M.Gj.

 

Baby Boo