SHBA: Mbështesim fuqishëm zbatimin e marrëveshjes


Bashkësia ndërkombëtare përshëndet rezultatin e referendumit të djeshëm. Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se qytetarët në referendumin e djeshëm shprehën mbështetje për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE duke pranuar Marrëveshjen e Prespës. DASH inkurajoi vendin të zbatojë plotësisht marrëveshjen, duke e siguruar se ka mbështetjen e SHBA-ve.

DASH
“Në periudhën që vijon kur Kuvendi i Maqedonisë do të fillojë debat rreth ndryshimeve kushtetuese, i bëjmë thirrje liderëve të ngrihen mbi politikën partiake dhe të mos e lëshojnë mundësinë historike për të siguruar të ardhme të ndritur për vendin, si anëtare e plotfuqishme në institucionet perëndimore.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ndërkaq inkurajoi të gjithë liderët dhe partitë politike të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për emrin. “Dera e NATOs është e hapur, por të gjitha procedurat nacionale duhet të zbatohen” theksoishëm  ndër tjerash Stoltenberg.

Për shefen e diplomacisë evropiane Federika Mogerini dhe Eurokomesarin për Zgjerim, Johanes Han, shumica e qytetarëve në mënyrë të qetë dhe demokratike i thanë “Po” Marrëveshjes së Prespës dhe rrugës evropiane të vendit.

Tani të gjithë aktorët politik dhe institucionalë duhet të veprojnë në suaza të kompetencave të tyre kushtetuese, jashtë linjave të partive politike. BE-ja do të vazhdojë që vazhdimisht ta mbështesë vendin, institucionet dhe qytetarët e saj- deklaruan Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogerini dhe Eurokomesari për Zgjerim, Han.

Ministri i Jashtëm gjerman, Haiko Mas ka thënë se pavarësisht se pritjet ishin më të mëdha, sërish është i gëzuar që shumica e atyre që votuan ishin “Pro” Marrëveshjes me Greqinë. Ai tha se është mirë që pas referendumit konsultativ, tani për marrëveshjen të debatohet në Kuvendin e Maqedonisë.

I ftoj të gjitha forcat politike në Shkup dhe Athinë ta shfrytëzojnë mundësinë historike dhe ta zbatojnë marrëveshjen. Ajo i forcon marrëdhëniet e mira fqinjësore mes dy vendeve dhe kontribuon në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Përveç kësaj, marrëveshja largon pengesën kryesore për afrimin e Shkupit me BE-në dhe NATO-n- tha Haiko Mas, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Ministria e Jashtme e Bullgarisë kërkoi nga elita politike të tregojë pjekuri dhe të zgjidh problemet e vështira.

Ministria e Jashtme e Bullgarisë
“Investimi është i madh- e ardhmja e vendit dhe e gjithë qytetarëve të saj. Shumica e qytetarëve janë “Pro” anëtarësimit në BE dhe NATO. Humbja e kohës nuk është e dobishme për asnjë vend në rajon.”

Edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë mirëpriti votën “Pro” të qytetarëve gjatë referendumit të djeshëm konsultativ, duke inkurajuar vijimin pa vonesë të procesit.

 Ministria e Jashtme e Shqipërisë
“Është koha që të gjitha forcat politike në Parlament t’i përgjigjen vullnetit të qytetarëve dhe me konsensus të gjerë të shfrytëzojnë këtë mundësi historike për avancimin e rrugës euroatlantike të vendit.”

Edhe Rusia nga ana tjetër po ndjek me vëmendje situatën në vend. Dimitri Peskov zëdhënësi i Presidentit rus, Vlladimir Putin, ka thënë se Rusia i vlerëson se të gjitha proceset duhet të mbeten në kuadër të Sundimit të Ligjit dhe respektimit të ligjeve. Po ashtu referendumi ishte pjesë e titujve të shumë mediave ndërkombëtare, si New York Times e cila u fokusua në faktin se pas shpalljes së rezultateve të dy palët, si pushteti ashtu edhe opozita shpallën fitore.

Baby Boo