SHBA: Ballkanit i duhet bashkëpunimi mes politikës dhe fesë


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e ka quajtur lirinë fetare me rëndësi thelbësore për paqen dhe stabilitetin. Në këtë kuadër Shqipëria është shprehur pro nismës amerikane për Aleancën Ndërkombëtare të Lirisë Fetare.

Në Tiranë po zhvillohet konferenca ndërkombëtare dyditore “Feja si instrument paqeje”, e organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) dhe Presidenca e Shqipërisë. Zhvillimi i saj në Tiranë nuk është rastësi: ajo lidhet me harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, që mbetet një model për rajonin dhe përtej tij, realitet i vlerësuar lart edhe nga Papa Franҫesku gjatë vizitës së tij në Tiranë, në vitin 2014.

Ambasadori Amerikan për Liritë Fetare në botë, Sam Brownback, pëfaqësues i DASH në këtë konferencë foli për nevojën që ka Ballkani për bashkëpunim mes politikanëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare. Nga kjo konferencë ai u bëri thirrje për dialog mes politikës dhe fesë pjesëmarrësve nga Kosova, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Bosnjë-Hergevonia dhe Serbia.

“Inkurajoj dhe shpresoj të ketë më shumë dialog dhe ndërveprim midis përfaqësuesve të politikës dhe përfaqësuesve fetarë. Politika është larg fesë dhe kështu mund të ndërtojmë një shoqëri të qëndrueshme, duke e përdorur fenë si një mjet për paqen. Kështu mund të ngrihet një dialog kuptimplotë”, theksoi ambasadori Sam Brownback.

Ai solli në vëmendje se Ballkanit i duhet bashkëpunimi mes përfaqësuesve të feve të ndryshme.

“Ballkani ka nevojë që përfaqësuesit e fesë të bashkohen. Në këtë rajon shpirti, falja dhe pajtimi do të bëhet një model kryesor për botën. Inkurajoj edhe presidentët që janë këtu të bashkohen dhe ngrejnë marrëdhënie me faktorë të tjerë me ndikim në rajon, dhe për të kombinuar zërat e tyre në shërbim të një jete paqësore dhe të mbrojtur”, tha ambasadori Broënback.

Ai theksoi se feja mund të përdoret me sukses si një instrument për paqen, në mënyrë që njerëzit të respektojnë dhe të kujdesen për njëri-tjetrin. Dhe në këtë vizion rol të rëndësishëm pritet të luajë krijimi i Aleancës Ndërkombëtare për Lirinë Fetare, një nismë amerikane që ambasadori Brownback e ka quajtur më herët “nismën e re më të rëndësishme të një gjenerate për të drejtat e njeriut që do të mundësojë rënien e perdes së hekurt të persekutimit fetar”.

Shqipëria pro Aleancës Ndërkombëtare të Lirisë Fetare

Presidenti Ilir Meta deklaroi në këtë konferencë se Shqipëria mbështet nismën amerikane.

“Shqipëria përshëndet dhe mbështet nismën e SHBA-ve dhe planet e sekretarit amerikan të shtetit Pompeo për krijimin e aleancës ndërkombëtare të lirisë fetare, një aleancë e kombeve me të njëjtën mendje, të përkushtuar për të luftuar persekutimin fetar në të gjithë botën,” tha Presidenti Meta.

Ai solli në vëmendje faktin që të gjitha vendet e Ballkanit i ” janë bashkuar koalicionit global kundër terrorizmit” dhe vuri në dukje nevojën „për stabilitet politik në rajon dhe secilin nga vendet e tij për t’u krijuar siguri popujve lidhur me zhvillimin e ekonomive dhe mos lejuar shfaqjen e ekstremizmit fetar, diplomacinë e butë nga faktorët e tretë dhe ndikimin e huaj negativ”.

Baby Boo