Shaqiri: Studeniçani me sallë të re sportive, investuam pothuajse 24 milionë denarë


Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, sot ka vizituar Komunën e Studeniçanit, e cila u bë me sallë të re sportive shkollore në fshatin Moran dhe ku gjithashtu po punohet edhe në shkollën e re fillore në vendbanimin Lubosh. Dy investimet kapitale janë realizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për të cilat nga buxheti i shtetit janë ndarë mbi 70 milionë denarë.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri theksoi se gjatë viteve të fundit Studeniçani është urbanizuar dukshëm nga të gjitha aspektet e mundshme, sidomos ato infrastrukturore, për të cilat merita të mëdha ka udhëheqësia e vetëqeverisjes lokale, por edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila udhëheq politikë të trajtimit të barabartë të të gjitha rajoneve dhe komunave, duke investuar kudo sipas prioritetit të nevojave, ndërsa me të vetmin qëllim – përmirësimin e standardit dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.

“Sot Morani po bëhet me sallë të re sportive, objekt bashkëkohorë në kuadër të shkollës fillore ‘Naim Frashëri’, në të cilin investuam pothuajse 24 milionë denarë. Më të kënaqur do të jenë nxënësit e kësaj shkolle të cilët më në fund nga shtatori do të mund të kryejnë denjësisht orët e arsimit fizik, ashtu siç duhet. Salla e sportit është e pajisur për disa lloje të sporteve edhe atë – volejboll, hendboll, futboll, basketboll, pingpong, gjimnastikë, ndërsa objekti është tërësisht efikas dhe energjetik dhe i plotëson të gjitha standardet edhe për garat profesionale në sportet që i potencova më lartë”, u shpreh Shaqiri.

Ministri uroi që kjo sallë sportive të shfrytëzohet sa më shumë, dhe le të jetë vend nga i cili do të dalin shumë sportistë të rinj, përfaqësues, por më e rëndësishmja është të jetë vend nga i cili do të dalin shumë gjenerata të reja, të shëndosha që do të orientohen siç duhet – drejt sportit, në vend të veseve. Për shkollën e re në të cilën është duke u punuar në fshatin Batincë, më saktë në vendbanimin Lubosh dhe do të funksionojë si shkollë periferike e SHF “Alija Avdoviq”, MASH- ndau mbi 47 milionë denarë.

“Kjo pjesë e komunës me të vërtetë kishte shumë nevojë për shkollë. Fëmijët e kësaj ane të shumtë në numër, çdo ditë udhëtonin për të ndjekur mësimin në objekte të tjera, por së shpejti nuk do të jetë më kështu. Ata do të mësojnë në afërsi të vendbanimit të tyre edhe atë në një objekt vërtetë bashkëkohorë”, potencoi Shaqiri, duke paralajmëruar edhe investime të tjera kapitale në Studeniçan në të ardhmen.

Baby Boo