Shaqiri: “Inkluzioni është proces i pashmangshëm i cili jep fund gjendjes së rregulluar të nxënësve me zhvillim atipik”


Fëmijët me vështirësi kanë gjithnjë e më shumë mundësi dhe kushte për të ndjekur mësimin e rregullt, gjë që rrit numrin e nxënësve të përfshirë në krahasim me ata që mësojnë në shkolla speciale, gjegjësisht në një mjedis të veçuar. MASH vazhdimisht punon në gjetjen e zgjidhjeve sistematike me të cilat duke ofruar kushte materiale fizike dhe njerëzore, do të shmangin sistemin e deritanishëm të arsimit paralel, gjegjësisht shkollat ​​e rregullta dhe speciale.

Kështu deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, në takimin me drejtorin rajonal të UNICEF-it për Europë dhe Azinë Qendrore, Afshan Kan, i cili është për vizitë në Maqedoninë e Veriut.

– Pikërisht këto të ashtuquajturat shkolla ​speciale i transformuam në shkolla fillore me qendra burimore, të cilat duhet të mbështesin shkollat ​​fillore dhe të mesme për inkluzionin e vazhdueshëm të nxënësve me zhvillim atipik, gjë që do t’i bëjë ata pjesë të procesit të rregullt arsimor në vend, shtoi Shaqiri.

Deinstitucionalizimi, theksoi ministri, në shoqërinë tonë vitet e fundit është realizuar në përpjesëtim të drejtë me inkluzionin e nxënësve me nevoja të veçanta arsimore. Ministri Shaqiri përmendi se Ministria është duke punuar në vazhdimësi në ngritjen e nivelit të inkluzivitetit të sistemit arsimor dhe krijimin e klimës shkollore ku realisht fëmijët pranohen me zhvillim atipik. Me Ligjin e ri për Arsimin Fillor, potencoi ai, shërbimi i asistencës arsimore është obligim i shtetit.

– Vitin e kaluar shkollor janë angazhuar 500 asistentë arsimorë, ndërsa që nga shtatori i këtij viti janë angazhuar 720, në përputhje me nevojat e shprehura të prindërve apo kujdestarëve të këtyre nxënësve, në shkollat ​​fillore. Ajo që na mbetet është të realizojmë obligimin për ofrimin e asistencës arsimore për nxënësit e arsimit të mesëm, të cilin do ta realizojmë pasi të sjellet Ligji i ri për Arsimin e Mesëm, theksoi Shaqiri, duke shtuar se në ndërkohë do të angazhohen asistentët arsimorë për nxënësit e shkollave të mesme përmes programit për punë të dobishme komunale.

Më gëzon fakti, thekson ministri, nga viti në vit, numri i nxënësve të përfshirë në procesin arsimor inkluziv po rritet. Në vitin shkollor 2021/22 në shkollat ​​fillore janë përfshirë gjithsej 911 nxënës me nevoja të veçanta arsimore dhe 312 nxënës me nevoja të veçanta arsimore të inkluduar në shkollat ​​e mesme të rregullta.

Për rritjen e inkluzivitetit në arsim, MASH punon në dy programe me Delegacionin Europian. Në programin e parë do të rikonstruktohen 12 objekte arsimore, nga 4 objekte nga arsimi fillor, i mesëm dhe i lartë, gjithashtu do të rikonstruktohen dhe do të marrin rampa të aksesueshme dhe akses deri te hapësirat, me mjetet e BE-së.

Në përputhje me Konceptin e ri për arsimin fillor, filluam edhe procesin e përshtatjes së teksteve shkollore dhe shtypjes së tyre në alfabetin Braj, si dhe përshtatjen e tyre në formatin audio, me audiolexues i cili mund të lexojë materialet mësimore në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.

– Nga pozita e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, mund të premtoj angazhim maksimal të vazhdueshëm për arsim më të mirë dhe për ndërtimin e një sistemi arsimor inkluziv më cilësor, sistem në të cilin do të përfshihen të gjithë nxënësit, deklaroi Shaqiri.

Baby Boo