Shamia e kokës pa emocione – Si e trajton Gjermania këtë çështje?


Mbajtja e shamisë së kokës në shkolla ndez debat, si së fundmi pas kërkesës së komunitetit mysliman për shfuqizimin e urdhrit administrativ për shaminë e kokës në shkolla në Kosovë. Si e rregullon Gjermania këtë çështje?

Shamia e kokës – një copë kaq e vogël e me potencial kaq të madh për t’i futur palët menjëherë në llogoret e një lufte verbale, me argumente pro apo kundër. Së fundmi debatet në mediat sociale degjeneruan në fyerje apo edhe shprehje urrejtjeje për palën tjetër, pas udhëzimit administrativ në Kosovë që u ndalon vajzave nën moshën 18 vjeç të mbajnë shami koke në shkolla. Me këtë urdhëresë nuk ishin dakord disa përfaqësi të komunitetit mysliman në Kosovë, që duan lejimin e shamisë edhe në shkollën fillore.

“Për kufizimin apo ndalimin e mbajtjes së veshjes fetare ka pengesa të larta ligjore”

Edhe në Gjermani shamia e kokës ndez debate. Nëse njëra palë e sheh atë si jetësim të lirisë fetare e vendim të vetë femrave që praktikojnë fenë myslimane, për palën tjetër mbajtja e shamisë bie hapur ndesh me vlerat liberale, emancipimin dhe lirinë e femrës. Shamia kthehet në simbol të shtypjes së femrës, dhe shamimbajtësja shihet si peng i zinxhirëve që e mbajnë lidhur. Ana pozitive e shoqërive me demokraci të zhvilluar e me besim të madh tek drejtësia është se kur flet ligji, heshtin palët kundërshtare që edhe kur dalin humbëse, e pranojnë atë megjithëse nuk janë dakord me vendimin.

Për shkak se arsimi në Gjermani është kompetencë e landeve, shumë vendime për arsimin merren në nivel landi, ligji kushtetues jep orientimin referues. Deutsche Welle pyeti në Ministrinë e Arsimit të landit Renani-Veriore-Vestfal (Nordrhein-Westfalen, NRW) se si është zgjidhur në këtë land debati për shaminë e kokës.

Në njoftimin nga Ministria e Arsimit në Dyseldorf thuhet, se “mbajtja e veshjes fetare në shkolla, përfshirë edhe shaminë e kokës rregullohet nga mbrojtja e të drejtës bazë për lirinë e fesë (Neni 4, paragrafi 1 dhe 2 i ligjit kushtetues). “Në këtë kontekst për kufizimin apo ndalimin e mbajtjes së veshjes fetare ka pengesa të larta ligjore.”

Sipas Ministrisë së Arsimit të landit NRW, “një detyrë qendrore e shkollës në Renani Veriore-Vestfali është që të ruajë tolerancën dhe të qenurit e hapur kundrejt bindjeve e përfytyrimeve të ndryshme fetare, botëkuptimore dhe politike.” “Për këtë arsye nxënëseve u lejohet mbajtja e shamisë së kokës, ashtu si edhe nxënëseve e nxënësve iu lejohet mbajtja e simboleve të tjera fetare, për sa kohë që nuk pengohet detyra e edukimit dhe arsimit në shkollë. Mbajtja e shamisë së kokës nuk bën pjesë tek kjo.” Madje Ministria e Arsimit thekson se “vitet e fundit ministrisë nuk i janë bërë të ditura raste problematike në lidhje me mbajtjen e shamisë së kokës”.

“A do të ishte e lejueshme nga ana ligjore ndalimi i shamisë së kokës për nxënëset?”

Me këtë pyetje janë marrë edhe Shërbimet Shkencore të Bundestagut, parlamentit gjerman, i cili ka verifikuar juridikisht dhe mbi bazën e kushtetutës lejueshmërinë e ndalimit të shamisë së kokës për nxënëset. Konkluzionet e Shërbimeve Shkencore të Bundestagut nuk bëjnë vlerësim, por pasqyrojnë gjendjen ligjore aktuale në lidhje me çështjen e shamisë së kokës. Ato prekin disa aspekte – si pajtueshmërinë ose jo me kushtetutën në lidhje me ndalimin e shamisë së kokës për nxënëset, të drejtën e prindërve për edukimin fetar të fëmijës, justifikimin ligjor të një ndërhyrjeje në këtë të drejtë e të tjera. Shërbimet Shkencore e shohin “si të diskutueshme që në përgjithësi t’iu ndalohet nxënëseve mbajtja e shamisë së kokës në shkolla, sepse një ndalim i tillë mund të cënojë veçanërisht të drejtën bazë të ushtrimit të lirisë fetare mbi bazën e nenit 4 të ligjit kushtetues si edhe të drejtën e edukimit fetar të prindërve.[…]”

Në lidhje me mbajtjen e shamisë së kokës në moshën para pubertetit, Shërbimet Shkencore shkruajnë: “e diskutueshme është, se prej cilës moshë e ka të justifikuar një nxënëse mbajtjen e shamisë së kokës mbi bazën e nenit 4 të ligjit kushtetues. Parimisht edhe fëmijët kanë të drejtën e ushtrimit të lirisë së fesë. Por ata janë të kufizuar në ushtrimin e lirisë fetare nga e drejta prindërore për edukimin fetar. Me moshën 14 vjeç fëmijët arrijnë në bazë paragrafit 5 të ligjit për edukimin fetar fëmijëror pjekurinë fetare, aftësinë për të vendosur vetë për fenë e vet.[…] Duhet ndarë nga çështja e pjekurisë fetare, pyetja, nëse është nën mbrojtjen e nenit 4 të ligjit kushtetues mbajtja e shamisë së kokës tek nxënëset e shkollës fillore në moshën para pubertetit. Sipas qëndrimit kryesues të përgjithshëm të fesë islame një rregull për mbulimin para pubertetit nuk kërkohet nga ana fetare. Në përcaktimin e asaj, se çfarë duhet parë si ushtrim i fesë, duhet marrë në konsideratë edhe botëkuptimi i komunitetit të prekur fetar dhe të drejtës bazë të subjektit. Kjo nuk do të thotë, se çdo sjellje e një personi vetëm për shkak të vlerësimit personal duhet të shihet si shprehje e lirisë së fesë.”

Në konkluzionet e Shërbimeve Shkencore të Bundestagut theksohet se mbi bazën kushtetuese nga liria e fesë rrjedh edhe parimi bazë i neutralitetit të shtetit kundrejt feve dhe besimeve të ndryshme. E si pasojë edhe ndalimi i diskriminimit, (neni 3 paragrafi 3 i ligjit kushtetues)e disavantazheve për shkak të besimit. “Një ligj që drejtohet ekskluzivisht kundër mbajtjes së veshjes fetare islame në shkollë për këto arsye është i palejueshëm. Një ndalim do të duhej të përfshinte të gjitha manifestimet fetare.”

Autoriteti i shtetit në mësimdhënie
Shërbimet Shkencore të Bundestagut vërejnë, se formësimi didaktik-përmbajtësor i arsimit është kompetencë e autoritetit të shtetit. Kompetencat legjitimohen nga rëndësia që i jepet shkollës për shpalosjen e shanseve në jetë të brezit të ardhshëm dhe unitetin në shoqëri. “Prandaj shteti mund të ndjekë në shkollë parimisht e pavarësisht nga dëshirat e përfytyrimet e prindërve objektiva të tijat.”, theksohet në vlerësimin e Shërbimeve Shkencore të Bundestagut.

“Në lidhje me çështjen, nëse mbajtja e shamisë së kokës në mësim përplaset me detyrën e shtetit për arsim dhe edukim duhet bërë dallimi mes shamisë së thjeshtë të kokës që e le fytyrën pambuluar dhe mbulimit të fytyrës, si me nikabin apo burkën. Parimisht lejimi i një shamie koke e le të pambuluar fytyrën dhe nuk e pengon të ndjekë mësimin në përgjithësi.[…] Ndryshe paraqitet gjykimi në lidhje me pjesëmarrjen në mësimin e notit dhe sport, ku një shami koke mund të pengojë nxënësen në pjesëmarrjen e rregullt në mësim.” Sipas Shërbimeve Shkencore, nëse se ka një konflikt konkret, duhen parë mundësitë e një çaktivizimi të konfliktit me kompromise të mundura, por nëse një pjesëmarrës refuzon këtë dhe propozimet e pranueshme, atëherë ai duhet të llogarisë me pasojën se nuk mund t’i referohet pozicionit të tij prioritar ligjor.

Po ashtu Shërbimet Shkencore të Bundestagut në bazë të kushtetutës i bëjnë një vlerësim ndryshe përplasjes që shkaktohet mes detyrës së shtetit për të siguruar arsim dhe mbulimit të plotë të fytyrës. “Në një vendim të Gjykatës Administrative të Bavarisë mbi një nxënëse me një mbulim të fytyrës shtjellohet se shtetit në kuadër të zbatimit të detyrës së tij për arsim dhe edukim lejohet të përcaktojë formën e komunikimit të hapur si metodë të tij të mësimdhënies.[… ]Komunikimi i hapur bazohet jo vetëm tek fjala e folur, por edhe elemente joverbale si mimika, gjestikulimi, apo gjuha e trupit.”

Paqja sociale në shkollë
Edhe këtë temë e trajtojnë Shërbimet Shkencore të Bundestagut, duke konkluduar se mbajtja e shamisë së kokës në shkolla mund të rrezikojë paqen sociale në shkolla. Nga ana tjetër përmbushja e detyrës së shtetit për arsim sipas kushtetutës ka si kusht paqen në hapësirën e shkollës, që nënkupton zgjidhjen e konflikteve të tilla në shkolla që të mundësohet mbarëvajtja e mësimit sipas rregulloreve, theksojnë Shërbimet Shkencore. Mënjanimi i konflikteve të tilla në shkolla shihet nga gjykata si një e mirë me rëndësi të madhe. Por theksohet edhe diçka tjetër: “Vetëm rrezikimi abstrakt i paqes së shkollës sipas Gjykatës Federale Administrative nuk mjafton për të ndaluar sjelljen e caktuar fetare të një nxënësi”

Çdo rast shihet konkretisht. Më shumë incidente të tilla duhet të shërbjnë si shkas që në mësim të trajtohen si temë m qëllimin për të zgjuar mirëkuptim të dyanshëm, theksohet në vlerësimin e Shërbimeve Shkencore të Bundestagut, që si shembull vendimin e një gjykate pse u ndalua një nxënës mysliman që donte të praktikonte fenë në kohën e pushimit:

“Në një vendim të vitit 2011, Gjykata Federale Administrative e quajti të justifikuar nga ana kushtetuese ndalimin që iu bë një nxënësi mysliman që gjatë pushimit të madh e të vogël në shkollë të kryente ritualet fetare. Në rastin konkret Gjykata Administrative iu referuar në argumentim konflikteve pjesërisht shumë të forta brenda komunitetit të nxënësve në shkollën në fjalë, dhe vendosi se paqja në shkollë nuk mund të ruhej ndryshe, dhe se ndalimi në këtë situatë nuk është disproporcion me qëllimin e synuar.”/DW

Baby Boo