Serish kaos para bankave! Në Tetovë ende vazhdon ndalesa për transportin ndërkomunal

Vazhdon kaosi para bankave në Tetovë. Qytetarë të shumtë edhe sot ishin mbledhur para bankave për të marrë ndihmën financiare nga qeveria për të blerë produkte ushqimore vendore. Para bankave në Tetovë kishte edhe policë.

Qytetarët:

-“Tash ka mbi 120 duhet presim edhe për 40 vetë, tash s’kemi çka bëjmë të presim për kartelën.”

-“Nga mëngjesi presim kemi nxjerrë numra kemi numrin 215, dje nxorëm numrin 480 nuk mbërritëm dhe sot ndoshta do e mbërrimë.”

-“Nga mëngjesi këtu numrin e kamë 279 edhe një zot e dijë se a do mund të hyjë apo jo, ende ka po edhe ata s’kanë çka bëjnë, unë jam invalid këmbën e kamë të thyer dhe jam ulur se skam çka bëjnë, jam pa rrogë a jetohet, nxehet është shumë por s’kemi çka bëjmë.”

E nga ana tjetër në Tetovë vazhdon ndalesa e transportit ndërkomunal.

Por nga shtabi i krizës thonë se transporti mund të vazhdojë pasi që një vendim i këtillë nuk ka bazë juridike.

“Ne si Shtab Komunal i Krizës vlerësuam se ndalesa e cila u soll me përfundim të shtabit qeveritar të krizës gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, dhe tani me përfundim të gjendjes së jashtëzakonshme ky vendim nuk ka fuqi juridike dhe si rrjedhojë transporti i organizuar ndërurban mund të vazhdojë, me respektim strikt të protokolleve mbrojtëse nga ana e transportuesve,” u kumtua nga Shtabi i Krizës Tetovë.

Tani për tani nga pamjet në stacionet e autobusëve nuk shihet asnjë kompani nga qytetet tjera.