Serbia vatër e koronavirusit, kryeson në botë për nga shkalla e infektimit


Lokale të mbushura plot, pak maska dhe pothuajse asnjë kufizim, në Serbi në pamje të parë duket se pandemia ka përfunduar. Por, ky është vetëm një iluzion, pasi shteti ballkanik aktualisht kryeson në botë për nga shkalla e infektimit me coronavirus.
Edhe epidemiologu më i njohur i vendit, dr. Zoran Radovanović u shpreh se Serbia është një nga shtetet të goditura më rëndë nga virusi.

Ndonëse ka disa lloje vaksinash, vetëm 40% e popullsisë prej 7 milionë banorësh janë injektuar.
Sipas të dhënave të fundit që bën me dije agjencia AFP, në dy javët e fundit në Serbi ka pasur 6500 të infektuar, një shkallë infektimi 93.5 për 100.000 njerëz, më e larta në të gjithë botën.
Edhe pse mbajtja e një maskë në ambiente të mbyllura dhe distancimi janë të detyrueshme zbatohen pak ose aspak.

Mjekët i kanë kërkuar qeverisë të vendosë masa të rrepta, të tilla si kufizimi i orëve të hapjes së bizneseve jo thelbësore dhe futja e një leje vaksine që do të kufizonte aktivitetet shoqërore të atyre që ende nuk injektohen. Por kryeministrja Ana Brnabiç u shpreh se nuk kishte asnjë mënyrë për të vendosur disiplinë.

Përveç masave, Serbia po ashtu ka hasur në vështirësi për ta bindur popullatën e re që të vaksinohet. Vetëm 22 për qind e personave të moshës 18 dhe 30 vjeç janë imunizuar deri më tani.
Serbia prej kohësh është bërë vatër e keqinformimit për vaksinat, si rezultat i skandaleve të shpeshta të korrupsionit dhe një mungese të përgjithshme të transparencës.

Baby Boo