Serbia po dërgon mesazhe kërcënuese për tërë Ballkanin


Zv. Ministri i Mbrojtjes dhe Koordinatori Nacional për Integrim dhe Anetarësim në NATO, Burim Ramadani në një intervistë ekskluzive për IBNA flet për rolin e Ushtrisë së Kosovës në stabilitetin e rajonit, procesin e anëtarësimit të vendit të NATO, situatën e sigurisë në Veri të Kosovës, ndikimin e Rusisë në destabilizimin e rajonit si dhe për proceset e fundit politike në Kosovë.

IBNA: Cili do të jetë roli i Ushtrisë së Kosovës në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit?

Ramadani: Kosova është e përkushtuar për të qenë kontribuese në sigurinë rajonale dhe globale. Si e tillë, me të gjitha institucionet e veta politike, diplomatike e ushtarake do të jetë në bashkërendim të plotë me partnerët strategjikë, të prirë nga SHBA-ja.

Për ne është e qartë se mandatimi i Ushtrisë së Kosovës ka ndikuar pozitivisht në sigurinë rajonale. Konsolidimi i shtetit të Kosovës qartëson domosdoshmërinë për thellimin e bashkëpunimit rajonal, sikurse edhe integrimet evro-atlantike me qëllim të paqes së përhershme në rajonin e Ballkanit.

Ushtria e Kosovës është forcë profesionale, moderne, multi-etnike dhe e gatshme për të ndihmuar paqen dhe sigurinë kudo nëpër botë. Ne jemi të përkushtuar në zhvillimin, avancimin dhe modernizimin e mëtejshëm të FSK-së, në mënyrë që të jemi partner të fuqishëm për botën demokratike. FSK-ja, sot, është institucioni më i besueshëm në Kosovë dhe si i tillë paraqet një avantazh të madh për tërë rajonin.

IBNA: Sa do të jetë i vështirë dhe i gjatë procesi i anëtarësimit të Kosovë në Aleancën e NATOs?

Ramadani: Kosova e kupton procesin e anëtarësimit në NATO. Prandaj, e kemi të qartë rrugën përpara në domosdoshmërinë e veprimeve dhe koordinimit për të ecur me hapa të sigurt drejt NATO-s.

Ajo që është e rëndësishme është fakti se Kosova nuk ka dilema rreth përkatësisë në familjen euro-atlantike. Pra, Kosova nuk është shtet neutral dhe nuk do të jetë asnjëherë. Për më shumë, bazuar në politikën e dyerve të hapura të NATO-s, sipas Nenit 10 të Paktit Veri-Atlantik, ne besojmë se zgjerimi i NATO-s në Ballkan nuk do të jetë në pikëpyetje. Kështu, nuk është arrogancë të pretendojmë se Kosova mund të jetë shteti i 31-të i NATO-s, sidomos tash pas pothuajse përfundimit të plotë të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Në përgjithësi, bazuar në rrethanat politike aktuale, shpresoj se do të gjendet po ashtu një rrugë specike, e modeluar vetëm për Kosovën, në mënyrë që ne të jemi qysh tash anëtarë aktiv në Partneritetin për Paqe fillimisht, e pastaj anëtare e plotë në NATO.

Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur me bashkëpunimin e ngusht që kemi me NATO-n, qoftë përmes NALT-it në Kosovë, qoftë përmes KFOR-it, si operacion i udhëhequr nga NATO.

IBNA: Si e vlerësoni situatën e sigurisë në Veri të Kosovës? A priten tensione?

Ramadani: Tensionet politike nuk kanë marrë dimensione të sigurisë në atë pjesë të Kosovës dhe kjo është një përparësi për zhvillimet e mëtutjeshme. Kemi parë disa skenare të çuditshme dhe gebelsiane të Serbisë në raport me situatën në veri të Kosovës. Porse, fatmirësisht, në kohën e tashme është vështirë të realizohet skenarë të tillë, sepse vëmendja ndërkombëtare është e nivelit të lartë dhe propagandat e Serbisë për gjoja “krizë humanitare” apo të ngjashme nuk mund të funksionojnë.

Ne, sigurisht, kemi ndërmarrë masat e nevojshme për të qenë në komunikim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që skenare dhe plane të tilla të dështojnë, sikurse kanë dështuar!
Mekanizmat e sigurisë në Kosovë në bashkëpunim me SHBA dhe evropianët a janë duke bashkëpunuar për të parandaluar ndikimin dhe tendencat Ruse për destabilizimin e rajonit?

Ramadani: Influencat e jashtme armiqësore, sidomos influenca ruse, është një shqetësim serioz për tërë Ballkanin. Synimet ruse duket të jetë të qarta në lidhje me krijimin e situatave jostabile, ndërhyrjen në proceset vendimmarrëse demokratike, largimin e Ballkanit nga integrimet evro-atlantike, si dhe thellimin e krizave nëpër Ballkan.

Sidoqoftë, është e qartë se Kosova nuk ka asnjë kompromis në luftimin e influencës ruse. Në fakt, Kosova është ‘në linjë të frontit’ me influencën ruse. Kjo, sepse, influenca ruse është duke u shpërndarë kryesisht përmes Serbisë, shtet në të cilin Rusia ka vendosur bazën e saj ideologjike, ushtarake e diplomatike.

IBNA:Si mund të shihen kërcënimet ndaj Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën përmes ndihmës ruse për armatimin dhe modernizimin e ushtrisë serbe?

Ramadani: Serbia po dërgon mesazhe kërcënuese për tërë Ballkanin. Kjo që po shohim gjatë këtyre viteve të fundit, është një ofensivë diplomatike e Serbisë për t’u armatosur me pajisje ruse të standardeve që nuk janë të ndërveprueshme as me NATO-n dhe as me vendet në rajon. Rrjedhimisht, kjo nënkupton që Serbia po e forcon ndër-veprueshmërinë e vet ushtarake vetëm me Rusinë. Si e tillë, ky është orientim kundërshtues me tërë rajoni. Është vendim i regjimit autokratik të Serbisë që të mosbashkëpunojë me shtetet në rajon, sepse bashkëpunimi ndërlidhet direkt edhe me standardet e pajisjeve dhe sistemeve të armatimit.

Sigurisht që ky është shqetësim serioz për tërë Ballkanin. E vetmja rrugë që e stabilizon sigurinë dhe paqen në Ballkan është modernizimi i shteteve ballkanike, sidomos në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Kur të gjitha shtetet tjera në rajon ose janë anëtarësuar ose janë drejtuar qartësisht kah NATO-ja, është e vetmja Serbia që ka marrë rrugën e kundërt dhe për këtë rrugë të kundërt është duke u krekosur. Pra, ky orientim kah Rusia i Serbisë është diçka serioze për tërë Ballkanin.

IBNA:Kosova po hynë në një proces të ri zgjedhor. Cilat janë pritjet e AAK në këtë drejtim? A pritet të shënoj rritje si parti, bazuar në rezultatet e qeverisë Haradinaj?

Ramadani: Mendoj që skena politike në Kosovë e ka marrë mbrapsht analizën rreth këtyre zgjedhjeve të parakohshme, që mund të shpallen dhe organizohen së shpejti. Besoj që para se të flasin për rezultate dhe kauza të ngushta personale apo partiake, subjektet politike dhe qytetarët e Kosovës duhet të mendojnë për arsyen pse po mbahen këto zgjedhje?

uk jemi duke e parë malin, sepse lisi na ka nxënë rrugën. Na ka bllokuar pamjen. Në fakt, nuk po i lëvizim sytë prej lisit. Në momentin e parë që ngrejmë pak kokën, e shohim saktë ku është mali, përkatësisht ku është problemi.

E në këtë dimension, mali, përkatësisht problemi është Serbia, politika e atjeshme Millosheviqiane, e cila vazhdimisht po shpikë dosje të përmbushura me shpifje dhe makinacione gebelsiane. Zaten, presidenti i tashëm i Serbisë, autoritari Aleksandar Vuçiq, ka qenë Ministër i Informacionit në regjimin e Millosheviqit. Numri dy i Qeverisë së Serbisë, trashalluqi Ivica Daçiq, ka qenë zëdhënësi i Millosheviqit.

Pra, ja pika e përbashkëta e metodologjisë së punës e të dy liderëve kryesorë të Serbisë: Propaganda.

Kështu, Serbia thotë se ka dërguar një dosje të re kundër Ramushit. Dmth, thjesht e shqip: e ka shpikur edhe një dosje – pas dhjetëra dosjeve të deritashme që nuk i kanë funksionuar.

Pra, besoj që kjo situatë nuk është e thjeshtë dhe nuk duhet të shihet si luftë e brendshme politike.

Baby Boo