SERBIA KËRKON EKSTRADIMIN E MORINËS, THIRRJE PËR TË MOS E DORËZUAR


Ministria serbe e Drejtësisë i ka dorëzuar Maqedonisë së Veriut kërkesën për ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i cili u arrestua javën e shkuar në pikën kufitare Bllacë, sipas fletëarrestit nga Interpoli. Ai në Serbi kërkohet nën dyshimet se kreu krime lufte kundër civilëve serbë në Kosovë. Hetimin ndaj tij po e udhëheq Prokuroria serbe për Krime Lufte. Krahas kërkesës për ekstradim, Serbia duhet të paraqesë edhe dokumentet lidhur me lëndën, ndërkaq vendimin se kushtet janë plotësuar për ekstradim do ta sjellë Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut. Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, ka deklaruar se kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të përshpejtojnë procedurën, pasi kjo çështje, ka thënë ai, duhet të zgjidhet dhe të mos gjendemi në udhëkryq midis Serbisë dhe Kosovës.

Bujar Osmani, zv/kryeministër për Çështje Evropiane

“Kërkesa e Serbisë vlen për qytetarët e saj, ndërsa ne qytetarët e Kosovës i kemi pranuar si qytetarë të Kosovës. Kjo është e pa bazë. Është e çuditshme pasi kërkesa nuk është lëshuar nga Interpoli serb, mirëpo nga qendra e Interpolit, dhe për këtë shkak shteti jonë duhet të respektojë procedurat”.

Ndërkohë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot ka kërkuar lirimin e Morinës. Ai i ka bërë thirrje institucioneve kosovare diplomatike e qeveritare të ndjekin urgjentisht të gjitha procedurat në mënyrë që Tomorri sa më shpejt të lirohet.

Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje

“Teksa Serbia i kërkon të gjithë, si pjesëtarë të UÇK-së, institucionet tona reagojnë varësisht nga pozicioni i ushtarit. Për dikë bëhet zhurmë e madhe pse intervistohet diku, a për Tomorr Morinën ende s’ka reagim shtetëror, edhe pse ai është në paraprocedurë për ekstradim. Me trajtimin e diferencuar të ushtarëve, vetë Kosova e pasluftës nuk po e mbron UÇK-në”.

Organizatat e dala nga lufta në Gjakovë arrestimin e Morinës e quajnë padrejtësi që është duke ndodhur në vazhdimësi j ushtarëve të UÇK-së. Ata shprehen të indinjuar me institucionet e Kosovës që, sipas tyre, po dështojnë t’i mbrojnë të pafajshmit.  Ndërkohë, një ditë më parë Këshilli i Gjykatës Penale për krim të organizuar në Shkup, ka refuzuar kërkesën e palës mbrojtëse për lirimin nga paraburgimi të Morinës, i cili u arrestua të mërkurën nga policia maqedonase, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë. Gjykata ka refuzuar vendimin me arsyetimin se “bëhet fjalë për shtetas të huaj, i cili në rast të lirimit mund të arratiset”. Arrestimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së shkaktoi reagime të shumta në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ndërsa kryeministri Zoran Zaev ka thënë se në këtë rast, do të respektohet ligji.

Baby Boo