Selim Ibraimi:Ahmeti do e ketë të vështirë që ti bind shqiptarët ta votojnë Pendarovskin !


Mundësi e dytë për Stevo Pendarovskin që të ulet në kolltukun presidencial në Vodno. Pas humbjes nga Gjorgje Ivanov pesë vjet më parë, ai tani po hyn përsëri në garë si një kandidat konsensual i LSDM-së dhe BDI-së, së bashku me një koalicion prej tridhjetë partish. Por opnioni pyet se pse për Bashkimin Demokratik për Integrim, kandidati Stevo Pendarovski nuk ishte adekuat para 5 viteve, gjegjësisht atëher nuk i plotësonte kushtet për të qenë konsensual, ndërsa tani po? Analistët thonë se tani kanë ndryshuar rrethanat politike dhe BDI tani iu përgjigjet interesave politike të tyre.

Analisti politik, Selim Ibraimi shprehet se Ali Ahmeti këtë rradhë do ta ketë shumë vështirë ti bind shqiptarët për të votuar një kandidat maqedonas për President. Sipas tij raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve aktualisht i ngjajnë periudhës së viteve të 50-ta.

“Tani kanë ndryshuar rrethat politike, keshtu që BDI ju përgjigjet interesave politike dhe atyre klanore për të qëndruar në pushtet dhe vazhduar qeverisjen me partitë maqedonase pa marrë parasysh interesat e votuesit shqiptarë. Që më herët janë ngritur shqetesime për politikën e BDI – së për sa u përket mbështetjeve dhe koalicioneve që i ka bërë me partitë e bllokut maqedonas. Ne BDI mungon politika e mbrojtjes votuesit dhe prandaj do ta ketë më vështirë kësaj rradhe lideri Ali Ahmeti ti bindë shqiptarët e Maqedonisë vazhdimisht të votojnë kandidat maqedonas siç është rasti tani me Pendarovskin. Raportet shqiptaro- maqedonase aktualisht i ngjasojnë periudhës së viteve të 50 – ta”, ka deklaruar analisti politik, Selim Ibraimi.

Nga ana tjetër politologu Murat Aliu thotë se se në politike gjithçka është relative dhe fludie. Prandaj, sipas tij në këtë kuptim edhe politikat, qëndrimet, qasjet apo veprimet politike të partive politike ndryshojnë varisht nevojave dhe konjukturave të kohës.

“Arsyeja kryesore për mos përkrahjen e Pendarvoskit nga ana e BDİ-së para 5 viteve, ishte fakti se BDİ në atë kohë ishte në koalicion qeveritarë me VMRO DPMNE-në dhe mendoj se ky veprim politikisht ishte krejtësisht logjik dhe legjitim, pavarsisht pasojave të cilët u shfaqën si rezultat i këtij veprimi i cili mundësoi zgjedhjen e Gjorgje İvanovit si president shteti. Edhe tani mbështjetja e BDİ-së ndaj Stevo Pendarovskit është shumë normale për faktin se Pendarovski është personalitet i përafërtë dhe funksionarë i LSDM-së, ndërsa BDİ është partner qeveritarë me këtë parti. Sidoqoftë, dhënia e përkrahjes nga BDİ dhe partitë tjera shqiptarë ndaj Pendarovskit është një hap i arsyeshëm që do të hap një faqe të re në historinë politike dhe në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni”, ka deklaruar për Zhurnal, politologu Murat Aliu .

Ndryshe, opozita shqiptare në zgjedhje do të garojë me Blerim Rekën, profesor universitar dhe ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO.

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, me mbështetjen e kandidaturës së profesorit Reka, përfundimisht kanë refuzuar kërkesën e kryeministrit Zoran Zaev, që edhe këto dy parti ta mbështesin kandidatin e përbashkët të partive në pushtet.

“Kandidatura e Blerim Rekës është serioze për president të Maqedonisë së Veriut. Do të jetë ai i cili denjësisht do t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët e vendit. Prandaj them që Blerim Reka e pasuron garën, ka çfarë i jep garës, ka çfarë i shton debatit për president dhe zgjedhjeve presidenciale”.

“Do të ishte zgjidhje e mirë për vetë faktin se kjo do të ishte forma më e mirë e përfaqësimit të të gjithë qytetarëve nga një kandidat, i cili e di se nga duhet të lëvizë dhe cilat duhet të jetë rruga që duhet të ndjekë Republika e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhjet presidenciale do të garojë me profesoreshën Gordana Siljanovska, e cila tani edhe ka filluar fushatën, edhe pse zyrtarisht ajo nis në fillim të muajit prill dhe zgjat 20 ditë.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton shumicën e votave më 21 prill, atëherë shkohet në rrethin e dytë që do të mbahet më 5 maj.

Baby Boo