Sektori ekonomik me kërkesa të reja! Kërkesat për pakon e pestë anti-krize po shtohen


Kërkesa të reja në prag të zbatimit të masave të reja anti-krize në kuadër të pakos së pestë qeveritare. Sektori ekonomik dita-ditës del me propozime dhe vërejtje të reja ndaj Qeverisë. Me pakot e mëparshme, të cilat i quajtën modeste, pushteti vetëm pjesërisht i zbuti pasojat e krizës. Masa financiare për mbështetje të rrogave prej 14.500 denarëve, si dhe masa për kredi pa normë interesi, tashmë kanë dhënë rezultat. Pushteti duhet t’i definojë protokollet për punë. Tani është momenti i duhur për të vepruar, apelojnë nga Oda Ekonomike.

“Është e pamundur që në një shtet serioz me të cilin udhëheqin institucione serioze të mos kemi protokolle precize për punë në të gjitha veprimtaritë. Na duhet aksion urgjent për parandalim dhe ballafaqim me ekonominë gri. Siç e dini, në Maqedoni për momentin kemi 40% nga ekonomia e përgjithshme e cila bie në ekonominë gri”, tha Daniella Arsovska – kryetare e LOE-së.

Oda Ekonomike kërkon mbështetje të pakthyeshme financiare për sektorët që janë goditur nga kriza prej 70 deri në 100%. Sipas Arsovskës, mes sektorëve që më së shumti kanë pësuar janë turizmi, hotelieria, transporti dhe arsimi.
“Gjithçka që ishte kërkuar gjatë muajve të kaluar, me të vërtetë ishin gjëra modeste… Pakot ishin modeste, por mendoj se duhet t’u ndihmohet këtyre njerëzve”, potencoi Daniella Arsovska – Kryetare e LOE-së.

Ndaj vërejtjeve, sidomos ndaj atyre që kanë të bëjnë me sektorin hotelierik, reagoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike.
“Konsideroj se nuk jemi të sinqertë mjaftueshëm mes vete. Konsideroj se sektori i hotelierisë ishte ndihmuar mjaft. Por, duhet të kuptojmë se në kohëra të vështira të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm sa u takon pritshmërive dhe mundësive”, deklaroi Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.

Bytyqi theksoi se është në komunikim me të gjitha odat ekonomike dhe subjektet që duhet të dorëzojnë kërkesë për shfrytëzim të setit të pestë masash. Arsovska, shtoi se deri më tani nuk është caktuar takim zyrtar me pushtetin. Masat duhet të vazhdojnë nga muaji janar, kurse të punësuarit nuk duhet të lëshohen nga puna, porositi ajo. Përndryshe, tashmë dihet se pakoja e pestë do ta kapë vlerën 50 milionë euro, kurse zbatimi i saj do të fillojë muajin e ardhshëm.

Baby Boo