Seancat e mbyllura të Speciales, gjyqtari amerikan: Dëshmitarët mund të tmerrohen të flasin kundër heronjve të UÇK’së


Tre dëshmitarët e parë në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë, i kanë dhënë dëshmitë e tyre në seanca kryesisht të mbyllura.

Edhe ato pak minuta që janë parë, imazhi dhe zëri i tyre kanë qenë aq të transformuar, saqë pakkush e ka kuptuar se çfarë kanë thënë.

Gjyqi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nisur më 3 prill në Dhomat e Specializuara të Kosovës, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale.

Sipas gjykatësve, redaktimi i dëshmive dhe dëshmitë në seanca të mbyllura janë procedurë e rregullt ligjore, e cila aplikohet në rastet kur prokuroria, në konsultim me dëshmitarin, e kërkon një gjë të tillë.

Monitoruesit e proceseve gjyqësore, në anën tjetër, thonë se duhet të ketë balancë mes transparencës dhe mbrojtjes së dëshmitarëve.

Pineles: Qëllim është mbrojtja e personave që mund të jenë në rrezik

Gjyqtari amerikan, Dean Pineles, ka një përvojë gjyqësore mbi 20-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka punuar në Kosovë si gjyqtar penal ndërkombëtar në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, nga viti 2011 deri në vitin 2013.

Duke komentuar procesin gjyqësor kundër Thaçit dhe të tjerëve, ai thotë se ky nuk është një proces i zakonshëm, pasi, sipas tij, “figurat më të rëndësishme të Kosovës në 24 vjetët e fundit” akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“A e dini se sa tmerruese mund të jetë kjo për shumë dëshmitarë”, pyet Pineles teksa komenton mbylljen e vazhdueshme të seancave gjatë dëshmisë së dëshmitarëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Është e rëndësishme të kuptohet se gjykata funksionon sipas rregullave të procedurës. Këto rregulla kanë dispozita që adresojnë mbrojtjen e dëshmitarëve, shumë prej të cilëve mund të jenë të tmerruar për të dëshmuar kundër heronjve të luftës së UÇK-së, si dhe viktimave të supozuara”, thotë Pineles për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se dispozita të ndryshme ligjore i japin gjykatës liri të madhe në mbrojtjen e dëshmitarëve, duke përfshirë seancat private, nëse gjykohen si gjë e përshtatshme.

Sipas tij, edhe dokumentet dhe dëshmitë e tjera redaktohen nga gjykata “për t’i mbrojtur personat që përndryshe mund të jenë në rrezik”.

Gjykata Speciale rrjedh nga një raport i Këshillit të Evropës, i vitit 2010, i cili ka përmbledhur një varg akuzash kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq e të tjera.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

“Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ka qenë një prej arsyeve përse kjo gjykatë e Kosovës është vendosur në Hagë dhe jo në Prishtinë”, ka thënë Qeveria e Holandës në një deklaratë të lëshuar në vitin 2016.

Alija: Seancat e mbyllura vështirësojnë monitorimin

Amer Alija, hulumtues ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se i është vështirësuar monitorimi i procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së, për shkak të seancave të mbyllura.

Alija thotë se opinioni që interesohet për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duhet të bindet se ka pasur mjaftueshëm prova në fund të procesit.

“Ne nuk mund të krijojmë një opinion të qartë tonin në përfundim të shqyrtimit kryesor, nëse seancat janë të mbyllura në rastet e dëshmitarëve kryesorë. Qoftë për një vendim fajësues apo shfajësues, ne duhet të bindemi se ka pasur mjaftueshëm prova për një të tillë”, thotë Alija për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai shton se për shumë dëshmitarë dhe viktima mund të jetë e vështirë të dëshmojnë kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, kur edhe ata vetë janë shqiptarë të Kosovës.

Baby Boo