Së shpejti lëshohet naftësjellësi Selanik-Shkup


Helenik Petroleum dhe qeveria e Maqedonisë janë në bisedime për të lëshuar naftësjellësin Selanik-Shkup. Pas takimit të parë muajin e kaluar, qeveria formoi grup pune që i analizon propozimet e kompanisë greke të naftës. Argumentet e Qeverisë i mbrojnë Zëvendës Kryeministri Koço Angjushev dhe Ministri i Ekonomisë, Kresnik Bekteshi. Nëse arrihet një marrëveshje, më në fund përmes naftësjellësit do të rrjedhë naftë për tregun e Maqedonisë. Një gjë e tillë do ta ulte çmimin e karburantit, sepse sipas metodologjisë aktuale, për transport llogariten 27 dollarë për ton.

Ne i analizojmë të gjitha zgjidhjet e mundshme, për momentin po analizojmë propozimet e paraqitura nga Helenik Petroleum, por njëkohësisht, si Qeveri e Republikës së Maqedonisë dhe unë si ministër përgjegjës për energjetikë, jam i obliguar të analizoj të gjitha efektet e tjera të mundshme që do të lindin nga një marrëveshje e mundshme me Helenik Petroleum në periudhën e ardhshme “- tha Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë.

Argumenti i ndërmarrjes energjetike shtetërore greke në negociata është se Maqedonia nuk respekton kontratën e shitblerjes të OKTAs dhe nuk i blen sasitë e dakorduara të naftës. Argumenti i qeverisë është se rafineria OKTA në Shkup nuk funksionon që nga viti 2013. Ndryshe nga Helenik Petroleum presin të ketë një zgjidhje së shpejti. Kryetari i bordit menaxhues të kompanisë së naftës Efstatios Cocoros në një intervistë për mediat greke thotë se bisedimet me palën maqedonase do të përfundojnë së shpejti, pas së cilës do ti marrin vendimet e nevojshme për të rihapur naftësjellësin. Nga kabineti i zëvendëskryeministrit Angjushev thonë se në takimin e ardhshëm me Helenik Petroleum do të diskutojnë mbi zgjidhjet e mundshme. Tani për tani, nuk ka afate se kur mundet sërish të vihet në funksion naftësjellësi.

Kabineti i Zëvendës Kryeministrit Koço Angjushev

“Në takim, përfaqësuesit e Helenik Petroleum shpjeguan qëndrimin e tyre dhe paraqitën propozime për të kapërcyer situatën. Aktualisht po analizojmë propozimet dhe presim që në periudhën e ardhshme të mbahet një takim për ti diskutuar propozimet dhe zgjidhjet e mundshme”

Takimi mes Helenik Petroleum dhe qeverisë së Maqedonisë vjen pasi pala greke njoftoi për një padi kundër Maqedonisë për mosplotësimin e marrëveshjes duke kërkuar 35 milion euro dëmshpërblim për shkak të mos blerjes së mazutit në pesë vitet e fundit. Marrëveshja 20-vjeçare e OKTAs përfundon në mars të vitit të ardhshëm. Pronar i naftësjellësit Selanik -Shkup është kompania Vardaks ku Maqedonia ka 20% të pronësisë. Naftësjellësi nuk funksionon sepse qeveria nuk jep leje.

Aleksandra Spasevska

Baby Boo