Se mos vetëm 21 janarin dhe Gërdecin, po vajza keniote si u vra?


Nga Alba Malltezi

Vajza keniote, Joy Achieng Aoko, vdiq në spital, në vendin e saj afrikan, në këto ditë shkurti, tamam një vit pasi kishte firmosur të niste punën në Shqipëri. Në një kazino në Tiranë. Nuk ia doli t’i mbijetonte plagëve dhe misterit të masakrimit që veç nënës, nuk duket se i ka interesuar dikujt tjetër ta zbardhë.

Ata pak gazetarë që kërkojnë të vërtetën, tregojnë gabime të pafalshme në grumbullimin e provave nga policia, deri në pyetje dhe përkthime qesharake të shkruara të zezë mbi të bardhë. Një ves i keq dhe i vjetër ky i uniformave tona, që e njohim mirë të gjithë ne shqiptarët. Kur nuk duhet të zbulohet një krim, kamerat nuk shohin, dëshmitarët përgjigjen si të ishin të palogjikshëm, dhe kufomat nuk flasin.

Këmbët e mbledhura me çorapet e pambukëta ngjyrë gri, ndërsa Joy futet me barrelë në avionin që do ta çonte drejt shpresës, mund të ishin këmbët e çdo vajze shqiptare që në gjithë këto vite tranzicion zgjodhi të punojë diku nëpër botë për një jetë më të mirë.

Ato çorape fshehin ngjyrën e bukur të një keniote të re që ishte komplet ndryshe nga ne. Kushedi sa i kishte pëlqyer Tirana në gjithë këto muaj që kishte jetuar dhe punuar deri në gusht, kur u gjet e masakruar nën rezidencën ku jetonte me shoqet e saj.

Ne vazhdojmë të qajmë e të qahemi për drejtësinë tonë, për njerëzit që duhet të bëjnë shtetin dhe të vigjëlojnë; nëna, vajza presin drejtësi për të afërm të vrarë në sy të të gjithëve, nën sytë tanë me prova që shpërthejnë si fshikullima kudo, por që vetëm policët, hetuesit, gjykatat nuk i shikojnë. Atëherë nuk është vetëm një problem politik, si ai i 21 janarit apo Gërdecit që vazhdojnë të mbeten pa një qartësim gjyqësor.

Drejtësia jonë nuk vepron edhe kur një krijesë me ngjyrat e mrekullueshme të Afrikës humb jetën në zemër të kryeqytetit shqiptar, të cilit i pat besuar diversitetin magjik të saj. Joy Achieng Aoko e kishte pasuruar Tiranën, ishte me siguri një lule e rrallë që i përplasej në fytyrë racizmit dhe maskilizmit tonë.

Joy u gjet e masakruar në Shqipëri dhe vdiq në Kenia. Askush nuk pa, asgjë nuk u filmua, asnjë provë nuk qartësoi se si.

Baby Boo